E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontroll bareve, restoranteve dhe hoteleve për shërbimet

Panariti e Ibrahimi dje në Ditën e Konsumatorëve

Pas tregjeve, Bashkia e Tiranës do të inspektojë baret, restorantet dhe hotelet, për cilësinë e shërbimit që ofrojnë. Gjithashtu janë identifikuar të gjithë shitësit ambulantë që punojnë në informalitet. Do t’u jepet mundësia që brenda një kohe të shkurtër të përfshihen në sistemin tatimor. Në të kundërt, aktivitetet do të pezullohen. Gjithçka u bë me dije dje në Ditën e Konsumatorëve. “Planet tona për të ardhmen janë akoma më ambicioze, pasi synojmë që Agjencinë, në veprimtarinë e saj, ta shtrijmë edhe në aktivitete të tjera, edhe në monitorimin e bar-restoranteve, hotelerive, për të garantuar një cilësi shërbimi që u përgjigjet kërkesave të kohës dhe interesave të konsumatorit”, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti. Ai prezantoi dhe planet e tjera afatshkurtra ku ka parashikuar të  ndërhyjë Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, institucioni më i ri i ngritur nga Bashkia e Tiranës. “Edhe hapja e tregjeve të reja është në objektivat e Bashkisë. Ne do shikojmë me shumë kujdes vendin ku do të funksionojnë këto tregje, natyrisht që të respektojnë të gjitha standardet që duhet të ketë një treg dhe, natyrisht, duke garantuar edhe hapësirat e tjera të nevojshme për qytetarët. Sa i përket tregut te Porcelani, ka një plan të shpejtë për përmirësimin rrënjësor të tij”, tha Panariti. Ai pranoi se është një ndër tregjet në gjendjen më të rëndë në kryeqytet dhe domosdomshmërisht do të ndërhyhet në infrastrukturë, në bazë të skemës së partneritetit publik-privat. “Ne e shikojmë partneritetin publik-privat si instrumentin kryesor për të realizuar të gjitha ato ambicie për transformimin e tregjeve dhe mbrojtjen e konsumatorit”, tha Panariti. Drejtori i AMK, Geron Ibrahimi, tha se Agjencia ka ushtruar 1541 inspektime për mbrojtjen e konsumatorit dhe vetëm gjatë dy muajve të fundit janë trajtuar edhe 184 ankesa, çka dëshmon besimin që konsumatorët kanë tek Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›