E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimet sociale, 50% janë të palicensuara

Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera

Prezantohet harta, fshatrat dhe Veriu i vendit, të pambuluara.

Shërbimet sociale në Shqipëri ofrohen vetëm nëpër qytete. Nga 290 institucione të përkujdesit social, vetëm 10 për qind ndodhen pranë zonave rurale. Po kështu, rreth 50% e tyre kanë operuar pa licencë, çka përbën shkelje të ligjit. Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, pranoi situatën problematike dhe deklaroi se do të merren masa për ta ndryshuar. Këto deklarata ai i bëri dje gjatë prezantimit për herë të parë të hartës mbi llojet e shërbimeve në vendin tonë. Ajo është realizuar në bashkëpunim e organizatave UNICEF dhe World Vision”. Situata është ende problematike përsa i përket shtrirjes gjeografike, pasi 90 për qind e shërbimeve ofrohen në zonat urbane dhe vetëm 10 për qind në zonat rurale. Ndërkohë që rreth 75 për qind e shërbimeve ofrohen në zonat perëndimore dhe qendrore të vendit, kur nevojat më të mëdha janë në zonën veriore dhe verilindor”, tha Ksera. Ai u bëri thirrje njësive vendore të identifikojnë më mirë nevojat e komunitetit. “Ky informacion do të na ndihmojë të integrojmë përpjekjet e pushtetit qendror dhe vendor me të gjithë aktorët që punojnë në fushën e shërbimeve, si dhe të hartojmë politika gjithëpërfshirëse nëpërmjet angazhimit të fondeve të duhura për shtrirjen e shërbimeve në të gjithë vendin dhe në çdo zonë, rurale apo urbane”, tha Ksera. Përfaqësuesi diplomatik i UNICEF-it, Detlef Palm, u shpreh se me realizimin e Hartës së Shërbimeve, sot Shqipëria është një hap përpara me reformën e shërbimeve sociale. “Duke parë hartën ne shohim çfarë shërbimesh janë të disponueshme dhe cilat mungojnë. Nëpërmjet hartës ne mund të shohim shkollën ku duhet të shkojë një fëmijë rom, rrugën ku ndodhet një shërbim i caktuar, ndërtesën e shërbimit shëndetësor ku një person i varfër duhet të marrë shërbim falas”, tha ai. Philip Ewert, përfaqësues i World Vision, deklaroi se kjo platformë informacioni do të sjellë një referim më të shpejtë të personave në nevojë, një koordinim më të mirë mes shërbimeve sociale ekzistuese dhe një monitorim më të mirë të tyre.

Statistika
Institucionet e përkujdesit social:

Në të gjithë vendin

290 institucione

50% pa licencë

10% në zonat rurale

90% në zonat urbane

75 për qind e shërbimeve në zonat perëndimore e qendrore

25% në zonat veriore

Harta
Institucionet qendrore dhe vendore do të përfitojnë nga lehtësitë që krijon harta për të identifikuar në kohë reale nevojat e komunitetit. Nëpërmjet kësaj harte, Ministria e Punës do të identifikojë në kohë reale shërbimet e palicensuara dhe, në bashkëpunim me Inspektoriatin e Shërbimit Social Shtetëror, do të fillojë menjëherë procedurat e monitorimit dhe licensimit të shërbimit, duke kërkuar edhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për shërbimin.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›