Kontrolle të befasishme në burgje, zbulohet cigare e dyshuar me drogë

Në zbatim të urdhrit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe nën drejtimin e strukturave të Policisë së Burgjeve, janë zhvilluar kontrolle të befasishme në ambientet e një institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale.
Operacioni është drejtuar nga drejtuesit e lartë të sistemit të burgjeve, me pjesëmarrjen e Forcave Operacionale dhe Forcave Speciale, të cilat kanë ushtruar kontroll në dhomat e banimit dhe ambientet e përbashkëta të të dënuarve.
Gjatë aksionit janë kontrolluar gjithsej 38 dhoma, ku në një prej tyre është konstatuar një objekt i dyshuar si lëndë narkotike, konkretisht një cigare e dëmtuar e gjetur në lavaman në dhomën nr. 9 të Godinës 1, ku qëndronin dy të dënuar.
Menjëherë pas konstatimit, të dy të dënuarit janë veçuar dhe është hartuar raport incidenti, ndërsa janë njoftuar strukturat përkatëse, përfshirë Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, për vijimin e hetimeve dhe procedurave administrative e ligjore.
Gjatë kontrollit janë konstatuar gjithashtu sende të tepërta dhe janë sekuestruar disa objekte të ndaluara, përfshirë edhe dy televizorë që janë marrë për rikontroll.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se kontrollet e befasishme do të vijojnë në të gjitha institucionet penitenciare në vend, me qëllim forcimin e rendit, sigurisë dhe disiplinës në sistemin e burgjeve.
