E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontrolle të shtrënguara me radarë statikë në autostradën Kosovë-Shqipëri

Policia e Kosovës dhe Policia e Shtetit Shqiptar kanë paralajmëruar kontrolle të shtuara dhe përdorim të radarëve statikë në rrugët që lidhin Kosovën me Shqipërinë. Qëllimi është rritja e sigurisë rrugore dhe penalizimi i çdo shkelësi të rregullave të trafikut.

Ismail Fejzullahu, Komandanti i Autostradës në Policinë e Kosovës, theksoi se do të ketë një prani të shtuar të radarëve statikë, të cilët do të regjistrojnë shkeljet e qarkullimit rrugor. “Qytetarët e Kosovës vetëm kanë filluar ta kuptojnë se ka radar statik, dhe unë shfrytëzoj rastin të bëj apel që le të jenët të kujdesshëm, do të ketë radar statik të cilët mund të bëjnë incizimin e tyre, dhe kundërvajtjet e tyre regjistrohen direkt në sistemin tuaj që e përmenda e keni më të avancuar në regjistrimin e kundërvajtësve të shkelësve të ndryshëm,” deklaroi Fejzullahu. Kjo tregon një përpjekje për të modernizuar dhe efikasizuar ndëshkimin e shkeljeve, shkruan RTK.

.Apeli dhe rregullat nga Policia Shqiptare

Ndërkohë, Artur Selimaj, Shefi i Sigurisë Rrugore i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit shqiptar, bëri apel për respektim të sinjalistikës rrugore. Ai shpjegoi rregullat për shtetasit e huaj, përfshirë ata nga Kosova: “Kodi rrugor i Republikës së Shqipërisë i ka të përcaktuara qartë, për shtetasit e huaj likuidimi mund të bëhet në vend, në rastet kur ligji parashikon tërheqjen e pantentës, apo ndonjë dokument tjetër ligjor, për të mos u bërë shkak për pengimin dhe bllokimin administrativ të mjetit, kodi rrugor parashikon pagesën dyfish të gjobës. Nëse likuidimi bëhet në vend, të gjithë shtetasit, përfshirë edhe ata të Kosovës të paguajnë 50% të gjobës, nëse e paguajnë brenda afateve të caktuara.”

Kjo masë synon të shmangë pengesat administrative dhe të inkurajojë pagesën e shpejtë të gjobave.

Autoritetet e të dy vendeve po bashkëpunojnë ngushtë për të garantuar rendin dhe sigurinë në akset kryesore rrugore që lidhin Kosovën me bregdetin shqiptar, sidomos gjatë sezonit turistik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›