E Hënë, 2 Nëntor 2026

Detaje të reja të armëpushimit në Gaza, Trump të bëhet garant, Netanyahu këmbëngul për eliminimin e Hamasit

Detaje të reja të propozimit për armëpushim në Gaza janë bërë publike, ndërsa Izraeli dërgoi një ekip negociator në Katar përpara vizitës së kryeministrit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë për bisedime. Brenda territorit, sulmet ajrore izraelite vazhdojnë, duke vrarë të paktën 38 palestinezë ditën e diel.

Kryeministri Netanyahu, përpara largimit, theksoi qëllimin e eliminimit të pushtetit ushtarak dhe qeverisës të Hamasit, duke deklaruar: “Janë 20 pengje gjallë, 30 të vdekur. Unë jam i vendosur, ne jemi të vendosur t’i kthejmë të gjithë. Dhe gjithashtu do të jemi të vendosur të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.”

Një kopje e propozimit të fundit, e zbuluar nga Associated Press përmes burimeve të njohura me negociatat, përshkruan një armëpushim 60-ditor. Gjatë kësaj periudhe Hamasi do të dorëzojë 10 pengje të gjallë dhe 18 të vdekur ndërsa forcat izraelite do të tërhiqen në një zonë tampon përgjatë kufijve të Gazës me Izraelin dhe Egjiptin.

Do të sillen sasi të konsiderueshme ndihmash, të shpërndara nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze. Megjithatë, dokumenti nuk specifikon fatin e Fondacionit Humanitar të Gazës, organizatë amerikane që Izraeli dëshiron të zëvendësojë sistemin e koordinuar nga OKB-ja.

Të burgosurit palestinezë në objektet izraelite do të lirohen në këmbim të pengjeve, megjithëse numri i tyre nuk është rënë dakord ende.

Roli i Trump dhe këmbëngulja e Hamasit

Një pikë kyçe e propozimit është garancia personale nga Presidenti Donald Trump se Izraeli do të respektojë ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe se ai “do ta njoftojë personalisht marrëveshjen e armëpushimit.” Kjo garanci duket si një përpjekje për të siguruar Hamasin se Izraeli nuk do të rifillojë luftimet në mënyrë të njëanshme, siç bëri në mars gjatë një armëpushimi të mëparshëm.

Propozimi nuk garanton një fund të përhershëm të luftës – një kusht thelbësor i kërkuar nga Hamasi – por thotë se negociatat për një armëpushim të përhershëm do të zhvillohen gjatë 60 ditëve. Kjo pikë ka qenë një pengesë kryesore në negociatat e mëparshme, pasi Hamasi kërkon garanci për fundin e plotë të luftës dhe tërheqjen e trupave izraelite, ndërsa Netanyahu këmbëngul për shkatërrimin e grupit.

Situata në terren, sulme dhe ndihma humanitare

Gjatë fundjavës, zyrtarë të spitalit në Gaza raportuan se sulmet izraelite vranë të paktën 38 palestinezë. Sulmet goditën dy shtëpi në qytetin e Gazës, duke lënë 20 të vdekur, ndërsa 18 palestinezë u vranë në Muwasi, në bregdetin e Mesdheut, ku mijëra të zhvendosur jetojnë në tenda. Ushtria izraelite tha se goditi 130 objektiva në të gjithë Gazën në 24 orët e fundit, duke shënjestruar struktura komande dhe kontrolli të Hamasit, objekte magazinimi dhe armë, si dhe duke vrarë një numër militantësh në Gazën veriore.

Ndërkohë, kabineti i sigurisë izraelite miratoi dërgimin e ndihmave në Gazën veriore, ku civilët vuajnë nga mungesa akute ushqimi. Gaza Veriore ka marrë vetëm një sasi të vogël ndihmash që nga armëpushimi i fundit në mars.

Konflikti, i cili filloi më 7 tetor 2023 pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ka shkaktuar vdekjen e rreth 1,200 njerëzve në Izrael dhe mbi 57,000 palestinezëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›