E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrollet e Policisë Rrugore në Tiranë, procedohen 19 persona dhe sekuestrohen 19 motomjete elektrike

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj drejtuesve të motomjeteve elektrike, në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Gjatë dy ditëve të fundit janë proceduar penalisht 19 shtetas, ndërsa janë vendosur 530 masa administrative.

Sipas Policisë, 19 persona janë konstatuar duke drejtuar motomjete elektrike pa lejen përkatëse të drejtimit. Për të gjithë ka nisur procedimi penal për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa motomjetet janë sekuestruar.

Kontrollet janë përqendruar veçanërisht te shkeljet që cenojnë sigurinë rrugore, pas shqetësimeve të shumta për manovrat e rrezikshme të kryera nga drejtuesit e motomjeteve.

Nga kontrollet janë konstatuar: 371 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 76 masa për qarkullim në korsitë e dedikuara për biçikleta dhe në hapësirat për këmbësorë; 28 masa për kryerje manovrash të rrezikshme dhe mosrregullim të shpejtësisë në qendrat e banuara; 21 masa për shkaktim zhurmash përmes sistemit të shkarkimit të gazrave; 18 masa për motomjete pa shenja dalluese ose targa; 10 masa për tejkalim të shpejtësisë së lejuar; 6 masa për drejtim pa leje drejtimi përkatëse.

Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me synim parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Në apelimin e saj, Policia u kërkon drejtuesve të motomjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të pajisen me leje drejtimi kur ajo kërkohet, të përdorin kaskën mbrojtëse dhe të shmangin manovrat e rrezikshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›