Kontrollet për armëmbajtje, Balla: Kërkoj mirëkuptim, jo karshillëk ndaj ligjit

Policia e Shtetit pritet të rritë praninë me postblloqe për të zbuluar dhe goditur rastet e armëmbajtjes pa leje.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kërkoi të mërkurën (9 gusht) mirëkuptimin e qytetarëve për shtimin e këtyre kontrolleve.
Deklarata erdhi si reagim ndaj arrestimit të një prej pjesëtarëve të Gardës së Republikës, i cili u kap me armë zjarri pa leje në automjetin e tij.
“Armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë. Do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë.
Në të gjithë territorin e vendit, Policia e Shtetit po organizon dhe realizon goditje të përditshme ndaj këtij fenomeni,” njoftoi ministri Balla përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
Ish-pjesëtari 32-vjeçar, tashmë i përjashtuar nga Garda, u arrestua në orët e vona në flagrancë, pasi kontrolli i kryer nga forcat e posaçme “Shqiponja” zbuloi një pistoletë në automjetin e tij.
Ndalimi u bë për veprën e “prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake dhe municionit”.
“Ndalimi gjatë natës së mbrëmshme i një oficeri të Gardës së Republikës … konfirmon qartë angazhimin se në rrjetën e forcës së ligjit do të bien të gjithë shkelësit.
Jam i sigurt se kam mbështetjen e qytetarëve në goditjen e këtij fenomeni, por kërkoj gjithashtu edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, të dashur qytetarë, përgjatë kontrolleve të policisë, të cilat do të jenë të shpeshta,” shkruan ministri Balla.
/rtsh.al/