Projekti për ndërtimin e kullës pas TOB-it, anëtarja e PD-së ngre padi në SPAK

Anëtarja e PD-së në këshillin Bashkiak të Tiranës, Enriketa Papa ka dorëzuar në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion padinë ndaj projektit për ndërtimin e kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit.
Në një prononcim për mediat, Papa thekson se ky është hapi i parë që PD ka ndërmarrë sërish për provat që “ka mbledhur në kuadër të shpërdorimit të detyrës, për korrupsion dhe pastrimit të parave”
“Në emër të grupit të këshilltarëve të Bashkisë Tiranë do të dorëzojmë në SPAK kallëzimin që Partia Demokratike do të bëjë për sa i përket kullës së re të miratuar në një nga lulishtet e pakta që i kanë mbetur Tiranës. Kallëzimi që Partia Demokratike dhe që grupi i këshilltarëve bashkiakë në vazhdën edhe të impenjimeve të fushatës elektorale për të denoncuar korrupsionin e bashkëpunimit të oligarkisë financiare me atë politike, ky është angazhimi ynë dhe hapi i parë që ne bëjmë për të denoncuar sërish indiciet që Partia Demokratike ka mbledhur në kuadër të shpërdorimit të detyrës, për korrupsion dhe pastrimit të parave”, ka theksuar Papa.
Ajo shton se grupi i këshilltarëve bashkiakë në Bashkinë e Tiranës do të vijojë të denoncojë raste të tilla.
“Në emër të PD-së dhe në emër të atyre qytetarëve të Tiranës që na mirëbesuan me votën e tyre në bashki do të jetë i vazhdueshëm dhe i pandalur për të denoncuar aferat dhe për ta kthyer në një qytet të qytetarëve dhe jo të oligarkëve, e jo të kryetarit të bashkisë ”, është shprehur Papa.
/rtsh.al/