E Diel, 1 Nëntor 2026

Konventa e Republikanëve, Romney pranon emërimin

“Mos fajëso vëllain tim për dështimet e tua” !
Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë i ish-guvernatorit të Floridas, Jeb Bush drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Duke iu drejtuar Konventës Kombëtare të Partisë Republikane, vëllai i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, tha se duhet të nxirrte “diçka nga krahërori” para se ta fokusonte fjalimin e tij te çështjet e arsimimit.

“Zoti President!Është koha që ju të ndaloni të fajësoni paraardhësin në detyrë për dështimet e politikave tuaja ekonomike”, tha pinjolli i familjes Bush.
Ai shtoi se “një lider i vërtetë do të merrte përgjegjësitë për veprimet e tij”, të cilat sipas Jeb Bush presidenti Barack Obama nuk i ka marrë.

Jeb Bush tha para të pranishmëve në Konventë se vëllai i tij, ish-presidenti George W. Bush garantoi sigurinë për amerikanër në një kohë sfidash.

Jeb Bush ishte përfaqësuesi i familjes së njohur që foli në konventën e republikanëve pak orë para se në skenë të ngjitet Mitt Romney për fjalimin e pranimit të nominimit të partisë në zgjedhjet Presidenciale.

Romney pranon emërimin e Partisë Republikane


Mitt Romney premtoi se do të rikthejë “Premtimin amerikan” ndërsa pranoi nominimin e partisë Republikanë në garën presidenciale të Nëntorit përballë Barak Obamës.

Ndërsa mbajti fjalimin më të rëndësishëm të jetës politike, republikani Mitt Romney u bëri thirrje amerikanëve që të bashkohen me të për të rigjeneruar ekonominë, krijuar miliona vende të reja pune dhe për të lënë pas ndarjet.

Dhe për të mbajtur premtimet, kandidati republikan mendon se ka recetën e duhur:

“Ajo çka i nevojitet vendit tonë sot nuk është e komplikuar apo e thellë. Nuk ka nevojë për komisione speciale të qeverisë për të na thënë se çfarë i nevojitet Amerikës. Ajo çka i nevojitet Amerikës janë vendet e punës. Shumë vende pune. Unë kam një plan për të krijuar 12 milion vende pune gjatë mandatit presidencial” tha ai.

Duke analizuar papunësinë e lartë dhe problemet ekonomike, Romney bëri një krahasim mes premtimeve të Barack Obamës në vitin 2008 dhe rezultatet e 4 viteve në Shtëpinë e Bardhë.

"Sot ka ardhur koha për ne që të lëmë pas zhgënjimet e katër viteve të fundit, për të vënë mënjanë dallimet dhe armiqësitë". Tani është koha për të rivendosur premtimin e Amerikës”

Duke synuar votën e mbështetësve të zhgënjyer nga Presidenca “Obama” Romney tha se do të donte që ai ishte një president I suksesshëm, pasi dëshiron që Amerika të jetë e suksesshme.

“Por premtimet e tij sollën ndarje. Kjo nuk është diçka që ne mund ta pranojmë. Tani është momenti që ne të bëjmë diçka. Dhe me ndihmën tuaj ne do të bëjmë diçka”

Sipas republikanit, Barak Obama dështoi dhe vuri në rrezik të ardhmen.

“Për herë të parë shumica e amerikanëve tani dyshojnë se e ardhmja e fëmijëve tonë do të jetë më e mirë”, tha Mitt Romney ndërsa premtoi se nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë gjithçka do të ndryshojë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë fjalimit në Konventën Kombëtare të partisë, Mitt Romney shpalosi edhe një pjesë të vizionit të tij për politikat sociale apo edhe atë ndërkombëtar

Para Mitt Romneyt në skenë u ngjit aktori i njohur Clint Eastwood i cili duke iu drejtuar një karrikeje bosh kritikoi Presidentit Barak Obama për politikat e tij.

Aktori fitues i çmimit Oskar akuzoi Obamën për dështim në rigjenerimin e ekonomisë amerikane dhe mbylljen e Burgut të Guantanamo, ku mbahen të dyshuarit për terrorizëm.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›