E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopenhagë, gati marrëveshja për klimën

Zyrtarët thonë se propozim-teksti i deklaratës do të diskutohet nga liderët botërorë gjatë ditës së sotme, që është edhe dita e fundit e takimit dyjavor për klimën. Udhëheqës dhe zyrtarë të lartë nga 25 shtete, përfshi Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Indinë, vendet evropiane dhe ato afrikane, kanë pasur bisedime produktive gjatë natës që lamë pas. Vendet synojnë të arrijnë marrëveshje lidhur me sasinë e dioksidit të karbonit të lëshuar në atmosferë që duhet reduktuar, për të penguar ngrohjen e mëtejshme globale. Njëherësh marrëveshja parasheh ndihma financiare për vendet e varfra që të mund të përballojnë përpjekjet për zvogëlimin e gazeve të lëshuara në atmosferë.Gjatë ditës së djeshme, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se SHBA-të janë të përgatitura të ndihmojnë në ngritjen e një fondi, që deri në vitin 2020, do të arrijë një vlerë prej 100 miliardë dollarësh në vit. Ky fond do t'i kushtohet vendeve në zhvillim për të luftuar ndryshimet klimatike. Klinton kërkoi nga shtetet që të ishin të hapura ndaj kontrollit për përmbushjen e zotimeve lidhur me reduktimin e dioksidit të karbonit të lëshuar në ajër. Kina premtoi se ishte e gatshme për transparence. Presidenti amerikan, Barak Obama dhe ai rus, Dimitri Medvedev, pritet të takohen gjatë konferencës për ndryshimet klimatike. Obama dhe Medvedev do të diskutojnë ecurinë e bisedimeve rreth marrëveshjes së re për zvogëlimin e armatimit bërthamor, që do të zëvendësojë atë të vitit 1991. Pakti i mëparshëm ka skaduar në 5 dhjetor të këtij viti. Shefi i diplomacisë ruse Lavrov, ka akuzuar së fundi palën amerikane për zvarritje të bisedimeve. Obama do të takohet edhe me kryeministrin kinez Ven Xhiabao.Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë ndotësit më të mëdhenj të atmosferës me dioksid karboni, çfarë dhe fajësohet si shkaktar i ngrohjes globale.                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›