E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë/ 23 vjeçari thyen arrestin e shtëpisë dhe më pas godet me thikë 19 vjeçarin, Policia i gjen lëndë narkotike në banesë

Një 23-vjeçar në Korçë, i cili duhej të qëndronte në arrest shtëpie, është kapur nga policia pas disa orësh ndjekjeje, pasi dyshohet se plagosi me thikë një 19-vjeçar gjatë një konflikti. Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës, ku i riu, i identifikuar me inicialet R. I., dyshohet se goditi me thikë në këmbë 19-vjeçarin M. A. Ky i fundit po merr mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, organizuan kontrollet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, i cili u arrestua pas disa orësh kërkimesh.

Gjatë kontrollit në banesën e 23-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi thikën që dyshohet se u përdor në konflikt, një sasi lënde narkotike kanabis dhe një objekt në formë pistolete. Nga verifikimet rezultoi se i riu ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›