E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korce, Muzeu Kombetar i Artit Mesjetar, nje qender mjaft e vizituar

Muzeu Kombetar i Artit Mesjetar ne Korce, vazhdon te mbetet qendra muzeale me e vizitueshme ne saje te fondit te pasur dhe te rralle te tij. I konsideruar si nje prej institucioneve me te rendesishme social-kulturore te vendit tone, ky muze me nje koleksion ikonografik prej 6500 ikona , nga viti ne vit, ka njohur rritje te numrit te vizitoreve. Lorenc Glozheni, drejtor i Muzeut Kombetar te Artit Mesjetar, tha sot ( e enjte) per ATSH-ne, se viti i kaluar regjistroi 2428 vizitore, nga te cilet 1260 ishin te huaj. Ky muze vizitohet nga artedashes, pelegrine, studente, nxenes vendas dhe te huaj. Glozheni tha se, muzeu eshte nje qender referimi e studiuesve, historianeve, teologeve dhe shkencetareve bizantologe nga e gjithe bota. Ai theksoi se eshte per t'u vleresuar fakti qe gjate vitit te kaluar, ka qene ne rritje numri i nxenesve, studenteve dhe specialisteve te huaj qe e kane vizituar Muzeun Kombetar te Artit Mesjetar.
Drejtimet kryesore te aktivitetit te Muzeut Kombetar te Artit Mesjetar, jane ato te ekspozimit, promovimit publik te veprave qe ruhen ne te, mbrojtja , konservimi dhe restaurimi i objekteve, por edhe studimi, puna shkencore dhe aktiviteti nderkombetar. Muzeu ka sallen e ekspozites me rreth 200 objekte arti, disa laboratore ekzaminimi dhe konservimi dhe nje infrastrukture modeste mikroklimaterike. Drejtori i muzeut tha se, nder veprat qe ekspozohen me shume jane perzgjedhur ato me te mirat te Mesjetes me autore anonime apo te identifikuar. Ne fondin e ketij muzeu ruhen vepra te rralla te mjeshtrave te punimit te ikonave si kryeveprat e Onufrit, Onufer Qipriotit, Simonit te Ardenices, mesues Kostandinit, Kostandin Jeromonakut, Kostandin Shpatarakut, David Selenicasit, etj.
Ne mes te ketij koleksioni, jane rreth 150 autore ikonografe shqiptare dhe te huaj te zbuluar deri me sot. Per te rritur interesimin dhe mbrojtur vlerat e Muzeut Kombetar te Artit Mesjetar, eshte vendosur prej vitesh nje bashkepunim nderkombetar. Drejtori Glozheni, beri te ditur se ka perfunduar nje projekt 5 vjecar bashkepunimi me Muzeun e Kultures Bizantine ne Selanik dhe qendres nderkombetare te kultures bizantine e pasbizantine ne Greqi. Ne saje te ketij bashkepunimi, u restauruan 88 ikona me probleme serioze nga restauratore shqiptare dhe greke dhe pas ketij procesi, u hap nje ekspozite e suksesshme, e cila u shqerua me botimin e nje katalogu.
Muzeu Kombetar i Artit Mesjetar, ka vendosur gjithashtu bashkepunim me Misionin Arkeologjik Francez qe punon ne rajonin e Korces, si dhe me Universitetin e Xhenoves ne Itali. Me vlera kane qene edhe bashkepunimet profesionale e shkencore me institucione dhe muze ne vendin tone si galerine e Arteve ne Tirane, muzeun "Onufri" ne Berat, laboratorin e konservimit te Akademise se Shkencave dhe Muzeun Historik Kombetar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›