Korçë/ Prodhonte në mënyrë të kundërligjshme artikuj industrialë dhe ushqimorë, arrestohet 65-vjeçari

Policia e Korçës ka vënë në pranga një 65-vjeçar i cili prodhonte në mënyrë të kundërligjshme artikuj/mallra industrialë dhe ushqimorë.
Blutë e Korçës kanë sekuestruar 15 mijë etiketa produktesh të falsifikuara, sasi të konsiderueshme kavanozash qelqi me produkte ushqimore të konservuara dhe një automjet që shërbente për transportin e këtyre mallrave.
“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas ushtronte veprimtari të paligjshme në subjektin e tij tregtar në qytetin e Pogradecit, kanë organizuar punën me qëllim verifikimin e rastit. Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e shtetasit S. F., ku prodhoheshin dhe përpunoheshin artikuj bujqësorë, të mishit dhe peshkut, u gjet një sasi e konsiderueshme kavanozash qelqi me vëllime të ndryshme të mbushura me produkte ushqimore të konservuara, një pjesë e të cilave ishin pa etiketë, ndërsa pjesa tjetër kishte mbishkrime të kompanisë në pronësi të 65-vjeçarit, e cila aktualisht ndodhet me status të bllokuar nga institucionet përkatëse.
Gjithashtu, gjatë kontrollit u gjetën mbi 15 000 etiketa ngjitëse me logon e subjektit të tij, me emërtime produktesh ushqimore të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/