E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, kreu marrëdhënie seksuale me 13-vjeçaren, arrestohet vëllai i kryeplakut

KORÇE - Kryen marrëdhënie seksuale me një 13-vjeçare, vihet në pranga vëllai i kryeplakut të fshatit Dërsnik në Korçë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bëjnë me dije se Emiljan Dine, me precedentë të mëparshëm penalë, është arrestuar pas denoncimit të bërë nga prindërit e vajzës së mitur, banuese në fshatin Libonik.

Mësohet se 33-vjeçari, i martuar dhe baba i një fëmije të mitur, kishte marrë 13-vjeçaren me inicialet K.A. në një banesë me qira në qytetin e Korçës, ku e kishte mbajtur përgjatë gjithë natës dhe kishte kryer me të marrëdhënie seksuale. Sipas policisë lokale, vajza ishte kthyer në shtëpi tek prindërit në orët e para të mëngjesit, duke u përpjekur të fshehë të vërtetën. Nën presionin e prindërve, e mitura u ka treguar atyre se kishte qenë me të dashurin e saj, por u ka mbajtur sekret një pjesë të së vërtetës. Një situatë e tillë ka shqetësuar familjarët, të cilët kanë filluar menjëherë të interesohen dhe të "gërmojnë" për të dashurin e vajzës së tyre.

Ata kanë mësuar se 33-vjeçari Emiljan Dine ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Gjithashtu, ata kanë mësuar se vajza e tyre kishte kaluar natën në shtëpinë e marrë me qira prej tij në qytetin juglindor. Më pas prindërit e 13-vjeçares kanë bërë denoncim në Komisariatin e Policisë së Korçës, me pretendimin se 33-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e tyre, e cila është në moshë të mitur. Nga hetimet e bëra dhe nga deklarimet e vetë vajzës, u vërtetua se e mitura kishte shkuar me dëshirën e saj.

"Kishim pak kohë që njiheshim dhe pavarësisht diferencës së moshës, unë ndjeja për të. Më pëlqente dhe kishim pak kohë që ishim lidhur. Vinte më takonte gjithmonë në fshat. Unë shkova me dëshirë me të, se e doja, por nuk e dija që ishte i martuar. Ai nuk ka faj", - ka deklaruar 13-vjeçarja në polici. Pas denoncimit, policia kapi në banesën e tij Emiljan Dinen, i cili është dënuar më parë për veprën penale "Prodhim dhe mbajtje pa lejë e armëve dhe municioneve luftarake". Burimet e mësipërme sqarojnë se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën me qira të Dines, në lagjen nr. 10 të Korçës, iu gjeten dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 60 copë fishekë, 1 silenciator armë zjarri, 1 krehër pistolete, 2 thika, 6 pasqyra automjeti. Ndërsa, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të Emiljan Dines, në lagjen nr.9 të këtij qyteti, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi prej 15.4 gramësh lëndë e dyshuar si narkotike Kanabis Sattiva. Ai akuzohet për "Marrëdhënie seksuale me të mitura", "Prodhim dhe shitje të narkotikëve", "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", "Mbajtje pa leje të armëve të ftohta". 33-vjeçari është vëllai i kryeplakut të fshatit Dërsnik, Iljaz Dines, i cili është në kërkim për veprën penale "Vrasje e mbetur në tentativë".

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›