E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, masterplani i qytetit në dëm të hapësirave publike

Në mbledhjen e sotme të KRT-së lokale, ku u diskutua çelja e rrugës për dërgimin e projektit për miratim në KRTSH, u zhvilluan debate të ashpra mes kryetarit të Bashkisë, Niko Peleshi, që mbron variantin me ndryshime dhe shumicës së anëtarëve të KRT, që mbrojnë projektin në formën fillestare, sikurse e miratoi juria ndërkombëtare.

Muajin e kaluar, 22 arkitektë të Korçës, mjaft prej tyre anëtarë të KRT-së, nënshkruan një deklaratë të hapur ku u shprehën kundër variantit të dytë që zinte hapësirat publike me pallate shumëkatëshe.

Arkitekti Ilir Voci, anëtar i KRT-së, u shpreh se studimi është manipuluar nga bashkia, me qëllim për të zënë hapësirat publike për interes vetjak të kryetarit të Bashkisë dhe bizneseve që qëndrojnë prapa tij.

Edhe arkitektët Agron Hasankolli, Abdyl Drabo, etj, edhe këta janë anëtarë të KRT-së, shprehën indinjatën e tyre, se Bashkia donte të mashtronte qytetarët e Korçës me një variant të ri të masterplanit, ku parashikoheshin ndërtime pallatesh në lulishten ngjitur me Raifazen-Bank, në lulishten para godinës së Këshillit të Qarkut, në lulishten para bllokut të pallateve "Rinia” dhe në sheshin kryesor të qytetit, para teatrit "A.Z.çajupi".

Shumica e anëtarëve të KRT-së i kërkuan kryebashkiakut të mos merrte përsipër specialistin dhe arkitektin, por të zbatonte ligjin dhe t'i hidhte të dy variantet në votim, ose të sillte, aty përfaqësuesit e studios gjermane “Bolles Wilson” për të diskutuar.

Një javë më parë, për masterplanin e qendrës së qytetit të Korçës u organizua një diskutim i hapur, ku mori pjesë edhe arkitekti gjerman Piter Wilson, përfaqësues i studios gjermane “Bolles Wilson”. Në takim, shumë qytetarë kritikuan ashpër variantin e dytë të masterplanit, duke akuzuar studion gjermane, se ishte përdorur nga Bashkia.

Studimi i Studios gjermane u përzgjodh dy vjet më parë nga një juri ndërkombëtare në një konkurs, ku morën pjesë 12 studio nga vendi dhe bota. Gjatë dy viteve u bënë vërejtje e diskutime, sidomos nga subjektet private, me qëllim që brenda kornizave të variantit të miratuar nga juria ndërkombëtare, të bëheshin korrektime sipas ligjeve në fuqi. Arkitektët në mbledhjen e KRT-së, pretenduan se vërejtjet studios gjermane nuk i janë përcjellë sipas zërit të specialistëve, por sipas interesave të Bashkisë.

Kryetari i Bashkisë, Peleshi e quajti të përfunduar punën e studios gjermane dhe kërkoi diskutim teknik dhe miratim të studimit.

"Pas kësaj shumica e anëtarëve të KRT-së kërkuan hedhjen në votë të të dy varianteve, por kryebashkiaku pretendoi se ekzistonte vetëm një variant, pikërisht ai që zë hapësirat e gjelbra dhe sheshet publike”, thanë burimet.

Për këtë arsye, studimi nuk u votua dhe mbledhja u shty për javën tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›