Kore: Vazhdojmë të lobojmë për Kosovën

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Naci Kore, ka thënë me këtë rast se Turqia pos tjerash, gjatë takimeve bilaterale që ka me shtetet e ndryshme, ajo e prezanton Kosovën dhe lobon për njohjen e pavarësisë së saj te ato vende.
“Ne të gjitha punimet tona i bëjmë në kuadër të institucioneve tona ndërkombëtare. Në kuadër të kësaj mbështetje unë isha në Riad. Siç dihet, ne atje e kemi një përfaqësim shumë të rëndësishëm. Ne që nga pavarësia e Kosovës jemi munduar dhe kemi dhënë kontribut që Kosova të njihet nga sa më shumë vende të ndryshme të botës. Siç dihet, kemi ndikim në vendet arabe dhe një numër i madh i shteteve arabe veç e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Ne pavarësinë dhe Kosovën e prezantojmë dhe bëjmë aktivitete lobuese në gjitha vendet dhe në takimet tona bilaterale me vendet e ndryshme”, ka thënë ai.
Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, e ka falënderuar homologun e tij dhe ka shtuar se MPJ-ja është në kontakt pothuajse ditor me diplomacinë turke, në mënyrë që të ecet përpara për njohje të reja për Kosovën.
“Jemi në kontakt gati ditor me klasën diplomatike turke për thellimin e procesit të njohjeve dhe jemi shumë të kënaqur për kontributin që ka dhënë prej Kryeministrit deri te diplomatët e shumtë”, ka thënë ai.
Selimi ka shprehur besim që Republika e Turqisë do të mbetet një shtyllë e fortë e përkrahjes për përmbushjen e synimeve të Kosovës për njohje.
Për më tepër, të dy zëvendësministrat kanë nënshkruar sot “Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës dhe Akademisë Diplomatike të Republikës së Turqisë”, e cila njëherësh është edhe marrëveshja e 14 në mes të të dyja vendeve.
Zëvendësministri Selimi, duke e falënderuar ardhjen e homologut të tij, për të cilin tha se është bir Kosove, me prindër nga Prizreni, ka thënë se memorandumi i nënshkruar rritë bashkëpunimin në mes Akademisë Diplomatike të Kosovës të sapoformuar dhe asaj Akademisë Diplomatike të Turqisë.
“Jemi shumë krenar për ardhjen e zëvendësministrit Kore në Kosovë për dy arsye: një, sepse është bir i Kosovës me prind nga Prizreni dhe është një nga diplomatët më senior në Republikën e Turqisë. Jemi shumë krenar për vizitën e tij sot dhe marrëveshjen që e kemi nënshkruar. Republika e Kosovës ka 13 marrëveshje të nënshkruara me Republikën e Turqisë, katër janë në përpunim e sipër, ndërsa sot u nënshkruar e 14-a, e cila e rritë bashkëpunimin midis Akademisë Diplomatike të sapoformuar të Republikës së Kosovës dhe Akademisë Diplomatike të Turqisë. Turqia ka një nga ministritë e Punëve të Jashtme më aktive në botë”, ka thënë ai.
MPJ e Kosovës dhe ajo e Turqisë kanë bashkëpunim shumë të thellë për çështjet në Ballkan, për çështjet e Kosovës dhe për lobimin për njohje. Ai ka shtuar se janë shumë mirënjohës për të gjithë atë çka ka bërë Turqia për Kosovën dhe po bën vazhdimisht, e cila është një nga shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Kurse homologu i tij nga Turqia, Naci Kore, është shprehur i ngazëllyer me mikpritjen e tij në Kosovë dhe ka shtuar se Turqia përveç se ka një bashkëpunim shumë të mirë me Kosovën në fushën ekonomike, kulturore e tregtare, ajo ka bashkëpunim edhe në fushën politike.
“Kosova për mua ka një rëndësi të veçantë, meqë unë jam nga Prizreni, meqë nëna dhe babai im kanë origjinë prizrenase dhe në jetën tonë, si familje, Prizreni ka pasur një rol, një ndikim dhe një kujtim të rëndësishëm. Për këtë arsye dëshiroj ta theksoj që ardhja ime në Kosovë gëzon një rëndësi dhe veçanti shumë të madhe. Kosova është një vend që respektohet dhe duhet nga Republika e Turqisë, siç dihet, edhe pavarësinë e saj e ka njohur si ndër vendet e para. Ne gjithmonë përzgjedhim diplomatët tanë më të mirë dhe më të shkëlqyeshëm për Kosovën, sepse Kosova është shumë e rëndësishme për neve. Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës kemi bërë një kontribut për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat në Kosovë. Turqia përveç në suazat ekonomike, kulturore, tregtare, ka edhe një bashkëpunim politik me Kosovën”, ka thënë ai.
Republika e Kosovës, sipas zëvendësministrit të MPJ-së, Petrit Selimi, deri më tani, ka arritur 14 marrëveshje me Republikën e Turqisë.