Korridori Blu, Balluku: Aksi Kashar-Lekaj lidh veriun dhe jugun pa kaluar në Tiranë

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku foli sot për investimet në infrastrukturën rrugore përgjatë Korridorit Blu.
Në fjalën e saj në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030″, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “Korridori Blu është një nga më të rëndësishmit e transportit panevropian, i cili lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë duke krijuar kështu një korridor të transportit të mallrave dhe pasagjerëve, por nga tjetër duke u shoqëruar edhe me disa korridore të tjera, pasi korridoret rrugore krijojnë infrastrukturën edhe për korridoret energjetike edhe për korridoret e gazit”.
Balluku u shpreh se “Murriqan-Balldren tashmë është një nga akset e përfunduara me studim fizibilitetit i cili do të përmbyllë lidhjen kufitare me Malin e Zi për të zbritur pastaj në aksin Murriqan-Balldren, është një aks që e ka projektin e tij, ka edhe një studim të detajuar WBIF dhe mbetet për të vendosur mënyrën dhe instrumentin e financimit të këtij projekti në bazë të fizibilitetit të dorëzuar WBIF”.
Balluku bëri të ditur se në dy tre ditët në vazhdim do të shpallet konsorciumi fitues sa i përket Balldren-Milot-Balldren.
“Ky aks është pjesë aktive e Korridorit Blu është tashmë një garë e përfunduar, ka në datë edhe fituesi pritet që të përzgjidhet nga grupi përzgjedhës dhe më pas menjëherë në përfundim të afateve dhe kohëve për sa i përket të gjithë pjesës së ankimimeve, ne vazhdojmë me lidhjen e kontratës dhe sipas kontratës i lejojmë 6 muaj kohë për mobilizimin e kantierit dhe projektin e detajuar”, theksoi Balluku.
Sa i përket lotit Thumanë-Milot, Balluku u shpreh se “ky është një projekt tashmë i përfunduar, një kontratë e lidhur”.
“Jemi në afatin kohor të mobilizimit të kantierit dhe gjithashtu të krijimit të kushteve teknike dhe projektit të detajuar për të nisur menjëherë ndërtimin. E konsiderojmë në proces”, theksoi ajo.
Ndërkohë aksi Thumanë-Kashar, vijoi Balluku, është një segment i përfunduar, operativ nga 30 qershori 2024.
“6.5 milionë automjete kanë përshkuar 21 km nga Thumana në Kashar dhe anasjelltas”, shtoi Balluku.
Balluku theksoi se “në harkun e 2-3 viteve do të dorëzojmë dhe Thumanë-Milot dhe më pas Milot-Balldren”.
Sa i përket gjurmës nga Kashari deri në Lekaj, Balluku tha se “ne kemi një gjurmë plotësisht të re, të shkelur vetëm nga rrugë të ushtrisë kohë më përpara. Eshtë një gjurmë e cila lidhet me bajpasin e Tiranës dhe më pas vazhdon në kodrat e Pezë-Helmësit të Ndroqit dhe për t’u lidhur në shtrat të Shkumbinit në Rrogozhinë në Lekaj. Duke krijuar një rrugëtim prej 33.5 km të kategorisë A ashtu siç është Korridori Blu dhe duke aksesuar me një shpejtësi prej 130 km në orë këto 33 kilometra dhe duke i dhënë kështu një akses të plotë autostradës së veriut për t’i lidhur me autostradat e jugut pa pasur nevojë të aksesohet kryeqyteti”.
Sipas saj, kjo është arritja më e madhe padyshim për këtë aks.
“Ky segment është krejtësisht i ri dhe nga projekti i deritanishëm duke qenë se jemi në fazën e mobilizimit të kantierit dhe detajimit të projektit ne kemi 2 tunele nga 5 km, 6 ura, 5 nyje dhe 9 nënkalime. Është një vepër infrastrukturore e kompletuar me të gjitha veprat e artit, është një gjeologji komplekse për të gjithë atë që njohin gjeologjinë e Tiranës nuk do të jetë e lehtë të kemi tunele në atë zonë, por pas kapërcimit që kemi bërë me tunelin e Murrizit unë besoj se konsorciumet që punojnë në infrastrukturën rrugore nuk shikojnë më ndonjë problematikë. Besoj se Lekaj-Kashar do të dorëzohet në afat ashtu siç e parashikon kontrata me të gjithë parametrat e sigurisë rrugore”, nënvizoi Balluku.
Ndërkohë, shtoi ajo, që kjo pjesë e autostradës lidhet me bajpasin e Tiranës një tjetër vepër shumë e rëndësishme.
“9 km e parë janë nën inventarin për ndërtim të ARRSH-së ndërsa 13 km e tjerë janë ato që do të mbështeten me fonde të BE-së dhe me kredinë, e cila vjen nga konsorciumi i krijuar mes Bankës Evropiane të Ndërtimit dhe BERZH”, tha Balluku.
Balluku vuri në dukje se “në të njëjtin korridor kemi kontratën e fundit, e cila na lidh me bajpasin e Fierit tashmë të përfunduar që është kontrata nga Lekaj deri në Fier një gjurmë ekzistuese, është autostrada e vjetër, e cila do të ruhet në disa nga segmentet duke eliminuar rrethrrotullimet të cilat krijojnë edhe kënde më të mbyllura se 90 gradë duke pasur disa segmente të reja që do t’i shtohen këtyre kilometrave”.
Sipas saj, i gjithë Korridori Blu shoqërohet me rrugë paralele.
“Këto janë rrugë për akses nga qytetarët me shpejtësi të kufizuar që ndodhen në të dyja krahët e këtij korridori duke i ofruar kështu çdo drejtuesi automjeti të drejtën për të zgjedhur përmes një autostrade të shpejtësisë së lartë 130 km me pagesë apo rrugëve paralele për të aksesuar zonat e banuara rreth Korridorit Blu pa pagesë. I gjithë ky korridor vazhdon më pas me bajpasin Lekaj-Konjat-Fier, të cilin e kemi mbyllur në vitin 2020. Të gjetur dhe të hapur pa një projekt me një kontratë të skaduar dhe gjithë problematikat e tjera dhe deri në Levan duke përfunduar më pas deri në bajpasin e përfunduar dhe dorëzuar tashmë për përdorim nga automjetet të Tepelenës”, tha Balluku. /k.s/j.p/