E Martë, 3 Nëntor 2026

IRAN – Khamenei: Të mos nxjerrim përfundime të nxituara për negociatat me SHBA-në

TEHERAN,15 prill /ATSH-DPA/- Udhëheqësi suprem i Iranit i bëri thirrje sot elitës politike të vendit që të mos nxirrte përfundime të shpejta në lidhje me bisedimet bërthamore të mbajtura së fundmi me SHBA-në.

“Negociatat duhet të vlerësohen objektivisht, dhe nuk duhet të jemi shumë optimist apo shumë pesimist paraprakisht”, paralajmëroi Ayatollah Ali Khamenei në një mesazh të publikuar në faqen e tij zyrtare.

“Për më tepër, e ardhmja e vendit nuk duhet të varet nga negociatat”, tha Khamenei, i cili, sipas kushtetutës, ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet strategjike.

SHBA-ja dhe Irani nisën bisedimet indirekte për një marrëveshje të re të mundshme bërthamore në Muscat javën e kaluar – pas disa vitesh ngërçi diplomatik. Omani po ndërmjetëson bisedimet.

Sipas Iranit, raundi i dytë i negociatave do të zhvillohet të shtunën në Muskat, ku do të marrin pjesë ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff.

Qëllimi kryesor i presidentit amerikan, Donald Trump është të kufizojë programin e armëve bërthamore të Iranit.

Pavarësisht fjalëve të Khamenei, vëzhguesit e konsiderojnë kursin dhe rezultatin e negociatave bërthamore si jashtëzakonisht të rëndësishme për Iranin – pasi Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake në rast dështimi.

Vëzhguesit thonë se situata e rëndë ekonomike e Iranit mund të përmirësohet vetëm duke hequr sanksionet pas një marrëveshjeje diplomatike.

Si rezultat i sanksioneve, vendi po përballet me krizën më të rëndë financiare në historinë e tij. Monedha kombëtare, riali, po arrin nivele të reja rekord pothuajse çdo javë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›