Korridori VIII, shtyllë e fuqisë ekonomike – Pavlov: Do të rrisë konkurrueshmërinë e rajonit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikolay Pavlov, gjatë fjalës së tij në ministerialin “Korridori VIII” që po zhvillohet në Tiranë, e cilësoi këtë projekt si një katalizator të fuqishëm për investime në logjistikë dhe infrastrukturë. Ai theksoi se ndërlidhja mes vendeve dhe transporti nuk janë vetëm koncepte ekonomike, por mbartin edhe rëndësi strategjike për rajonin në kushtet e sotme gjeopolitike.
Në ministerial morën pjesë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, homologu i Maqedonisë së Veriut, Timčho Mucunski, si dhe ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Octavian Şerban.
Pavlov nënvizoi se zhvillimi i transportit transevropian është projekti më strategjik i Bashkimit Evropian, duke përfshirë hekurudhat, rrugët, portet, aeroportet, ndërlidhësit energjetikë dhe infrastrukturën digjitale, të cilat ai i cilësoi si “shtylla kurrizore të fuqisë ekonomike”. Në këtë kontekst, sipas tij, Korridori VIII duhet të vlerësohet jo vetëm për ndikimin ekonomik rajonal, por edhe për domethënien e tij politiko-strategjike dhe të mbrojtjes.
Ai kujtoi se Korridori VIII shkurton distancën mes Adriatikut dhe Detit të Zi, duke siguruar një ndërlidhje multimodale që lidh Ballkanin Perëndimor me rajonin dhe më gjerë. Pavlov theksoi se me miratimin e rregullores së BE-së në vitin 2024, segmenti Durrës–Bari–Shkup u përfshi në pjesën e Mesdheut lindor, duke e konsoliduar rëndësinë e tij strategjike.
Zv.ministri bullgar shtoi se periudha e ardhshme programore e BE-së duhet të reflektojë nevojat për zhvillimin e transportit ndërkufitar, duke nxitur konkurrueshmërinë dhe realizimin e projekteve infrastrukturore si Korridori VIII. Ai përmendi marrëveshjen ndërqeveritare të nënshkruar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në vitin 2025 për ndërlidhjen e sistemeve hekurudhore Shkup–Sofje, si një hap vendimtar drejt përfundimit të linjës hekurudhore që do të shërbejë si gur themeli i Korridorit VIII.
Pavlov bëri të ditur se po punohet për modernizimin e segmenteve drejt Maqedonisë së Veriut, ndërsa kanë përfunduar procedurat e tenderimit për ndërtimin e 2.4 kilometrave që mungojnë në stacionin e kalimit kufitar.
“Korridori VIII është i rëndësishëm për të ulur kostot e transportit dhe transitit, për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomive të rajonit dhe për të tërhequr investime në logjistikë, transport, zona industriale, ndërlidhje energjetike dhe infrastrukturë digjitale. Ai do ta bëjë rajonin më tërheqës për partneritete publike-private dhe për përthithjen e instrumenteve evropiane”, përfundoi Pavlov.
/rtsh.al/