Ambasadori i Rumanisë: Korridori VIII, kyç për sigurinë dhe lëvizshmërinë ushtarake në Ballkan

Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Octavian Şerban në fjalën e tij në Ministerialin e Korridorit VIII, theksoi se ky korridor përbën një element kyç strategjik për sigurinë dhe mobilitetin ushtarak në Ballkan. Ai vuri në dukje rëndësinë e një reagimi të shpejtë dhe të koordinuar në rajon, duke theksuar se lëvizshmëria ushtarake është “një kriter i domosdoshëm për sigurinë e përbashkët”.
Ambasadori nënvizoi se Rumania tashmë është pjesë e të gjitha projekteve të lëvizshmërisë ushtarake në Korridorin VIII dhe ka arritur marrëveshje për të harmonizuar lëvizjen e forcave me aleatët në rajon, përfshirë Greqinë, Bullgarinë dhe Turqinë. Korridori, sipas tij, do të lidhë Detin e Zi me zonën e Adriatikut dhe do të përmirësojë kapacitetin e tranzitit ushtarak dhe bashkëpunimin rajonal.
“Sot më shumë se kurrë reagimi i shpejtë është bërë një kriter i domosdoshëm për sigurinë e përbashkët.
Lëvizshmëria ushtarake nënkupton aftësia e lëvizjes së trupave dhe mjeteve në gjithë zonën tonë të përbashkët. Rumania është tashmë pjesë e të gjitha projekteve të lëvizshmërisë ushtarake në korridorin lindor, Korridori VIII është një prej tyre.
Kemi arritur marrëveshje për të siguruar lëvizshmëri të harmonizuar me aleatët në rajon, Greqi, Bullargi, Turqi dhe ne mirëpresim çdo mbështetje.
Këto korridore janë çështje shumë të rëndësishme dhe do të luajnë rol të madh në vitet që vijnë”, tha ai.
Ambasadori gjithashtu theksoi pengesat aktuale, përfshirë rregulloret e ndryshme kombëtare dhe fragmentarizimin e procedurave, që vonojnë transportin ushtarak dhe e ekspozojnë rajonin ndaj rreziqeve të mundshme. Ai apeloi për përmirësimin e infrastrukturës dhe zbutjen e rregulloreve për të siguruar një lëvizshmëri më efektive të trupave në kohë krizash.
“Gatishmëria ushtarake është një mundësues thelbësor strategjik dhe natyrisht kufizimet në këtë lëvizshmëri mund të ekspozojë aleatët përballë rrezikut për të dislokuar trupat në kohën e duhur.
Ndërlidhja është domosdoshmëri për vendin tim në mënyrë që të bashkojë forcat dhe për të ndërlidhur më shumë vendet tonë në infrastrukturë.
Rregullat e ndryshme kombëtare, procedurat e fragmentarizuara dhe mungesa e bashkërendimit të qartë vazhdojnë të vonojnë transportin ushtarak dhe infrastrukturat e transportit nuk janë të përshtatura si duhet për nevojat e dyfishta dhe mbeten të ekspozuara ndaj cenimeve., Këto janë pengesa kritike për rrjetet e transportit dhe minojnë aspektin e sigurisë, mbrojtjen e civilëve.
Ndërkohë që është bërë përparim i konsiderueshëm por vijon të ketë pengesa në aspektin ushtarak. Është urgjente për të gjithë ne që të zbusim rregulloret për infrastrukturën ushtarake dhe të përmirësojmë lëvizshmërinë ushtarake”, tha ai.
/rtsh.al/