E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrigjimet në tekstet e historisë/ Pse duhej të ndodhte?

krajaNga Mehmet Kraja

Historia krijon vetëdije dhe botëkuptim, prandaj sulmet ndaj historisë së një populli që prej kohësh konsiderohen si sulme ndaj identitetit dhe qenies kombëtare. Politika, regjimet dhe ideologjitë vazhdimisht kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të kujdesshme ndaj historisë, sepse në shkrimet për kohën e shkuar gjithmonë janë fshehur paralajmërimet për të ardhmen. Asnjë histori deri më sot nuk është shkruar pa përzierjen e pikëpamjeve politike në diskursin historik, madje, në disa raste, shkrimi historik ka mundur të shërbejë si pararendës i zhvillimeve të mëvonshme politike. Prandaj, nuk ishte e rastit që më 2002-3, në situatën e një krize të përgjithshme të ideve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, atëherë kur në bashkësinë ndërkombëtare u rifuqizua ideja e kthimit te Kosovës nën administrimin e Serbisë, u shfaq edhe kërkesa e Këshillit të Europës, në formë të rekomandimit, që në tekstet e historisë për shkolla tetëvjeçare dhe të mesme të Kosovës të bëhen disa korrigjime, të vogla, të parëndësishme në dukje të parë, por esenciale në substancë. Në pamje të jashtme korrigjimet kishin këtë synim: që nga tekstet tona të historisë të mënjanohej diskursi i ashpër nacionalist, në mënyrë që te fëmijët shqiptarë të Kosovës të mos krijohej urrejtja ndaj popullit serb, sepse, sipas një parimi të përgjithshëm, për atë që kishte ndodhur në Kosovë nuk mund të ishte fajtor populli serb, por regjimi, pushteti, pra Millosheviqi. Prandaj, kudo që veprimet negative të Serbisë në Kosovë ishin identifikuar si serbe, u zëvendësuan me shtetërore, ndërsa në shumë vende pushtuesi serb ose u hoq në tërësi, ose u zëvendësua me pushtetin. Këto korrigjime, në substancë, kishin implikime të mëdha për historinë mbi njëqindvjeçare të Kosovës në raport me Serbinë, por, mbi të gjitha, në luftën e vitit 1999. Tani dilte se Serbia nuk kishte qenë asnjëherë pushtuese në Kosovë dhe se luftërat e shqiptarëve të Kosovës kundër Serbisë, përfshirë edhe luftën e UÇK-së, nuk kishin qenë luftëra çlirimtare, por më shumë një konflikt i shqiptarëve etnikë me pushtetin, i cili ua shkelte liritë dhe të drejtat. Këshilli i Europës desh ta sillte situatën në këtë pikë dhe për këtë qëllim tregoi gatishmëri të financonte korrigjimet e teksteve dhe ribotimin e tyre. Shumë më e rëndë se historia e shkruar, ishte historia që përgatitej të jetohej: nëse shqiptarët e Kosovës kishin luftuar kundër pushtetit dhe jo kundër pushtuesit, atëherë ndryshimi i pushtetit në Serbi (me një garanci eventuale ndërkombëtare) vetvetiu nënkuptonte kthimin e Kosovës atje ku kishte qenë para vitit 1999. Do vërejtur se grupi i historianëve që i propozoi ndryshimet në tekstet shkollore më 2003, njësoj si edhe strukturat e Ministrisë së Arsimit, vinin nga provenienca politike e LDK-së, së cilës, në kontekstin e zhvillimeve politike të atyre viteve, i shkonte përshtat minimizimi ose një paraqitje sa më inverzive e luftës së UÇK-së, sepse trashëgimia e kësaj lufte e bënte kundërshtarin e saj politik tepër të fuqishëm.

Dhjetë vjet më vonë…

Dhjetë vjet më vonë situata në Kosovë paraqitet krejtësisht ndryshe: Kosova është shtet sovran me shumë njohje ndërkombëtare, loja me statusin e saj ka marrë fund dhe nuk ka rrezik që ajo të rikthehet nën Serbi në asnjë rrethanë, në pushtet tani nuk është LDK-ja, por PDK-ja etj. Përdorimi politik i historisë nuk vazhdoi aty ku mund të pritej dhe të supozohej, në valorizimin folklorik të UÇK-së, sepse ky valorizim tashmë mund të quhet i përfunduar, pa gjetur ndonjë kundërshtar aq të denjë dhe të fisëm. Por, papritmas u shfaq në horizont një kërkesë tjetër: Qeveria e Turqisë filloi një trysni të paparë mbi institucionet e Kosovës, për të spastruar tekstet e historisë të ciklit parauniversitar nga përmbajtjet që denigrojnë Perandorinë Osmane, në këtë fushatë u angazhua kupola më e lartë e shtetit turk, duke filluar nga kryeministri, ministri i Jashtëm, ministri i Arsimit dhe, natyrisht, ambasadorja në Prishtinë, e cila tashmë ka marrë në dorë kryerjen e punëve operative. Ngjashëm me rastin e dhjetë viteve të shkuara me rekomandimet e Këshillit të Europës, Ministria e Arsimit e Kosovës përsëri bëri një komision, për të identifikuar pikat nevralgjike ku duhej ndërhyrë, tani komisioni nuk përbëhet vetëm nga historianët, por përfshin edhe gjeografë, albanologë, osmanologë etj, pra, një spektër të gjerë të dinjitarëve kosovarë, të angazhuar pa hile që nga kjo lojë të dalë e fituar Turqia dhe shteti i Kosovës të nëpërkëmbët sa më fort. Themi kështu, për shkak se planet dhe programet mësimore janë çështje të shtetit dhe ndërhyrjet nga jashtë në përmbajtjet mësimore mund të konsiderohen si shkelje e sovranitetit. Më anë tjetër, përfshirja e pashembullt i kupolës më të lartë politike të shtetit turk në këtë çështje, bën të ditur se trashëgimtarja e sotme e dinastisë së dikurshme të selxhukëve, Turqia bashkëkohore, krahas fuqizimit ekonomik, në programin e vet kombëtar e ka ndryshimin e imazhit të pushtuesit të dikurshëm të Ballkanit. Që në vitin 2009, në një konferencë për çështjet e Ballkanit mbajtur në Sarajevë, ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, pasi u shpreh me fjalë mallëngjyese për sundimin e lavdishëm osman, i cili i solli dritë dhe emancipim Gadishullit Ballkanik, u bëri thirrje popujve ballkanas, e në radhë të parë Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës që ti kthehen prapë asaj kohe të artë (citimi sipas Kadaresë, Mosmarrëveshja, faqe 35). Për të realizuar këtë program kombëtar, Turqia e sotme ka gjetur terren të përshtatshëm në tre shtetet e përmendura të Ballkanit, njësoj si në dy ose tre shtete të Azisë së largët: paqëndrueshmërinë ekonomike, trashëgiminë historike dhe mentalitetin anadollak. Kriza ekonomike në Europë i shkon përshtat kësaj rrethane, sepse në shtetet e Ballkanit mungojnë ndjeshëm investimet perëndimore, ndërsa Turqia paraqitet prijëse në eksportimin e kapitalit në këtë rajon, duke krijuar një atmosferë biznesi krejtësisht orientale në këto vende të përfshira nga transicioni i mundimshëm. Pra, thënë ndryshe, Turqia e sotme e ka vendosur të mos bëjë investime vetëm për leverdi ekonomike, por duke imponuar edhe synimin e saj për një rol të ri në këto hapësira, i cili shkon deri te projeksioni fantastik i rikthimit në skenë të Perandorisë Otomane, natyrisht me një pamje të re dhe me veshje të re botëkuptimore dhe doktrinare.

Bashkëpunimi në gjenocid

Tani mbetet çështje e diskutueshme se cilat janë interesat e shqiptarëve në këto aspirata të Turqisë dhe se me çfarë çmimi duhet ta paguajnë mbështetjen politike dhe ekonomike që ky shtet ua bën klasave pol

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›