Tensioni i imponuar elektoral
Ndokë Malaj/qytetar
-Dita - ditës po i afrohemi zgjedhjeve dhe klima e kësaj fushate nuk duket se do kalojë e qetë, siç i ka hije një vendi demokratik. Mesa di unë dhe mesa dëgjojmë për zgjedhjet në vendet e ndryshme të botës, fushatat kanë problemet e veta, por që nuk janë dukuri ekstreme. Prandaj është e logjikës që të gjitha forcat politike t’u bëjnë thirrje anëtarëve të tyre dhe simpatizantëve që të mos nxehin gjakrat por t’u bëjnë thirrje për qetësi dhe te ushtrojnë të drejtën më të patjetërsueshme, atë të votës sipas dëshirës dhe mendjes së vet, pa u ndikuar nga ndonjë ofertë që mund t’i vijë për ndonjë vend pune, një thes miell, ndonjë shumë parash. Vërtet që reklama është shpirti i tregtisë, por partitë politike nuk kanë pse bëjnë kaq shpenzime të mëdha për reklamime të programeve apo ofertave të ndryshme për të ngrënë me lugë ari, apo për të jetuar në një planet më të zhvilluar se në tokë e etj., etj., se populli nuk është aq i paditur e në atë shkallë sa mos të kuptojë këto gjëra, pavarësisht se sa i fuqishëm është për t’u përballur me këtë realitet. Zgjedhjet në përgjithësi bëhen për të realizuar stabilitet, zhvillim, mirëqenie, pra për të ecur përpara dhe jo për të nxitur konflikte, pakënaqësi, sepse Shqipëria nuk është e privatizuar nga një grup njerëzish të cilët bëjnë ç'të duan dhe si të duan pa marrë parasysh asnjë gjë, përjashto interesat e ngushta personale për t’u pasuruar me lloj-lloj formash e metodash. Prandaj fushata e zgjedhjeve kërkon një pjekuri dhe maturi të madhe nga liderët kryesorë të forcave politike që drejtojnë fushatën në mënyrë që të bindin popullin, jo duke sharë e fyer njëri-tjetrin për arritjet apo mosarritjet, por duke dhënë fakte bindëse dhe objektive dhe të realizueshme për të ardhmen. Populli ka patur kohën e duhur për të menduar dhe për t’u pozicionuar se cila parti ka një program më bindës që i shërben më mirë këtij komuniteti që i qëndron më afër halleve e problemeve dhe njëkohësisht sjell zhvillim dhe ecje përpara. Gjithë këto miliona lekë që jepen nga buxheti i shtetit për fushatë do ishte më mirë që të përgjysmoheshin e t’u jepej familjeve në nevojë. Ai që do fushatë, të bëjë me mundësitë e buxhetit dhe buxhetin e vet se në gjithë botën (dhe është e logjikshme) drejtimin e shtetit e bëjnë të pasurit dhe jo të varfrit. Është ligjësi varësia e politikës nga ekonomia, por të pasurit në përgjithësi punojnë për pasurimin e tyre përmes aplikimit të politikave të punësimit, taksimit të drejtë. Sado mirë të drejtosh, punosh, apo udhëheqësh një popull, i përjetshëm nuk mund të jesh kurrë, pavarësisht etjes për pushtet apo respektit që gëzon. Sa më shumë t’i afrohemi datës së zgjedhjeve, aq më shumë nxehet klima politike. E dhëntë Zoti që mos të ketë gjëra të mëdha, të cilat mund të lënë pasoja të rënda mbrapa, se për gjëra të vogla jemi mësuar dhe janë të pranueshme. Fushata për t’u zgjedhur është fushatë e marrjes së përgjegjësive dhe jo një privilegj personal për të thënë se “kush jam unë dhe vetëm unë”.