Korrigjimi i adresës aktuale apo deklarimi i adresës së re, një tjetër lehtësim nga e-Albania

Të gjithë qytetarët mund të korrigjojnë adresën aktuale të vendbanimit ose të deklarojnë adresën e re përmes platformës e-Albania, pa radhë, pa vula dhe pa kosto.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në ‘Facebook’ një udhëzim për qytetarët të cilët kanë ndryshuar shtëpinë dhe duan të ndryshojnë dhe adresën e vendbanimit.
Kreu i qeverisë bën të ditur se ky ndryshim nuk kërkon më që njerëzit të shkojnë në sportelet e gjendjes civile për të bërë këtë ndryshim por mund ta kenë si shërbim në portalin e-albania. Rama bën të ditur se ky shërbim mund të kryhet në vetëm 3 minuta me anë të telefonit apo kompjuterit.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër lehtësim nga e-Albania, ku ju mund të korrigjoni adresën aktuale të vendbanimit tuaj ose deklaroni adresën e re vetëm në 3 minuta duke përdorur celularin apo kompjuterin pa marrë më rrugën për dokumenta, ju uroj një ditë të mbarë”, – shprehet kryeministri Rama.