E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni me ndërtimet pa leje, dy punonjësit e Bashkisë në gjyq

SHKRUAN: Leonard Bakillari 20-06-2011 12:37

Tiranë Dy punonjës të Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar në Gjykatë, me akuzën e korrupsionit, pasi dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma parash nga një banor i kryeqytetit. Njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës ka mbyllur hetimet, duke dërguar dosjen në gjyq për Agostin Lekgegaj, punonjës i policisë bashkiake dhe Adem Cemurati, inspektor pranë Inspektoratit të Ndërtimit të bashkisë së kryeqytetit. Bashkë me dy zyrtarët e bashkisë, në gjykatë prokuroria ka dërguar edhe Simon Brahollin, i cili u ka ofruar para dy zyrtarëve të bashkisë, në këmbim të ndërtimit të katit të dytë të banesës së tij. Sipas hetimit të policisë dhe prokurorisë, bëhet me dije se ka qenë punonjësi i policisë bashkiake, Agostin Lekgegaj, ai që ka “negociuar” për ndërtimin pa leje që do të kryente Simon Braholli, duke i premtuar se do të fliste me të njohurit e tij në Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë. Gjatë hetimit tre mujor, prokuroria ka zbardhur takimet mes të pandehurve, si dhe ka arritur të dokumentojë marrjen e parave nga zyrtarët e bashkisë. Sipas kërkesës për gjykim rezulton se negociatat e para për këtë çështje kanë nisur më datën 9 mars të këtij viti, kur punonjësi i policisë bashkiake, Agostin Lekgegaj është takuar me një person, duke folur për ndërtimin që po kryente Simon Braholli. “Agostini i ka premtuar personit se është shok i inspektoreve të Inspektoratit Urbanistik Vendor të Bashkisë së Tiranës dhe se do të bisedonte me këta persona, por i pandehuri Simon Braholli duhet të ndërtonte objektin për 10 ditë” - thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë. Për këtë çështje, sipas hetimit të prokurorisë, në lojë është futur një person me emrin Ervin, i cili është takuar me punonjësin e Policisë Bashkiake më datën 10 mars. Gjatë këtij takimi, Agostin Lekgegaj i thotë personit me emrin Ervin se, punonjësi i Inspektoratit të Ndërtimit e ka porositur që të bënte kujdes. Më pas, Agostini me Ervinin flasin për ndërtimin që do të bëhet, ku edhe e garanton për ndërtimin. Më pas, ai i thotë Ervinit “merri ofertën”. Ky takim është pasuar nga një tjetër takim mes pronarit të ndërtimit pa leje dhe personit me emrin Ervin. Të dy personat kanë folur për shumën e parave që kishin kërkuar zyrtarët e Bashkisë. “Nga biseda e zhvilluar ndërmjet këtyre dy personave, sipas proces- verbalit të traskiptimit të datës 16 mars 2011, rezulton se Simoni e pyet Ervinin se sa kërkojnë ata si fillim. Nga ana e tij, Ervini i përgjigjet se duan një pesëshe. Më datë 17 mars, Simon Braholli takohet me shtetasin me emrin Ervin, në një lokal përballë Sanatorimit, ku pasi biseduan për disa minuta, Simoni i jep një zarf shtetasit me emrin Ervin. Nga biseda e zhvilluar ndërmjet këtyre dy personave rezulton se Simoni i ka dhënë një shumë parash prej 50.000 lekësh shtetasit me emrin Ervin” - thuhet në kërkesën për gjykim. Kjo shumë parash i është dorëzuar policit bashkiak nga shtetasi me emrin Ervin në datën 18 mars, kur dy personat kanë zhvilluar një takim në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Tre ditë më pas, dy personat takohen sërish, ku Lekgegaj merr nga personi me emrin Ervin, shumën prej 300 mijë lekësh. Ndër të tjera, Agostini e pyet Ervinin nëse i kishte marrë me vehte 2500 euro. Ndërsa Ervini i thotë Agostinit se i bie fiks fare. “50 000 lekë t’i dhashë dhe 300 000 i ke këtu”. Pjesën më të madhe të kësaj shume, sipas hetimit, Agostin Lekgegaj ia ka dhënë pak orë më vonë inspektorit të Bashkisë, Adem Cemurati, gjatë një takimi të shkurtër që dy personat kanë pasur në “Rrugën e Barrikadave” dhe më pas janë ndarë, për t’u shoqëruar më pas nga policia.

Pushohet hetimi për inspektorin e Ndërtimit

Paralelisht me dërgimin e dy zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës në gjyq, Prokuroria ka vendosur të pushojë hetimet për të arrestuarin e katër të këtij operacioni. Ylli Bala, i arrestuar fillimisht si i dyshuar për këtë aferë, nuk është marrë i pandehur nga Prokuroria, pasi nuk është vërtetuar implikimi i tij. Gjatë hetimeve, personi kryesor që ka mbajtur të gjitha kontaktet për këtë çështje, Agostin Lekgegaj, u ka bërë me dije personave të interesuar se është një inspektor, i cili ka marrë përsipër këtë punë, duke mos përmendur emra. Nga hetimet e para rezultoi se në momentin e marrjes së parave nga Adem Cemurati, i pranishëm në automjetin e tij ka qenë edhe Ylli Bala, i cili gjithashtu është shoqëruar në ambientet e policisë. Madje për të Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” dhe “pezullim nga funksionet publike”. Tashmë që hetimet kanë përfunduar, grupi hetimor i çështjes ka vendosur të mos ngrejë akuzë ndaj inspektorit të Ndërtimit në bashkinë e kryeqyteti, pasi nuk provohet implikimi i tij në këtë aferë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›