E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi dhe aksidentet, policia mësyn rrugët

Policia e Tiranës, masa të rrepta me fillimin e sezonit turistik, por edhe për parandalimin e ngjarjeve kriminale

Tiranë Afrimi i sezonit turistik, por edhe ngjarjet e fundit kriminale, të ndodhura në kryeqytet kanë detyruar Policinë e Tiranës të ngrejë postoblloqe të shumta, në të gjitha akset kryesore të Tiranës. Forca të shumta policie janë zhvendosur në rrugë, ku pjesa më e madhe e automjeteve kalojnë në “sitën” e tyre, duke kryer kontrolle të imtësishme për armë, drogë por edhe për persona të shpallur në kërkim. Deri më tani, mësohet se është ndaluar një person për “armëmbajtje pa leje”, të cilit pas kontrollit të ushtruar nga efektivët e policisë, i është gjetur një pistoletë që e mbante pa leje. Një tjetër qëllim i postoblloqeve të policisë është dhe evitimi i aksidenteve, duke qenë se në këtë periudhë rritet ndjeshëm numri i automjeteve që qarkullojnë në rrugët e kryeqytetit dhe rrjedhimisht shtohet dhe rrezikshmëria për aksidente. Pavarësisht këtyre masave, sërish janë regjistruar aksidente automobilistike, ku dy net më parë, në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, një automjet është përplasur me shtyllën e ndriçimit, duke shkaktuar plagosjen e pasagjerëve. Por duket se vrasja e Nadien Zenelit në mes të ish-Bllokut dhe plagosja e 27-vjeçarit, Sidrit Thanasi, kanë vënë në lëvizje të plotë të gjitha strukturat e Policisë së Tiranës, të cilat kanë nisur punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të këtyre dy ngjarjeve të ndodhura në një hark kohor prej një jave. Gjithashtu mësohet se kontrolle të shumta janë kryer dhe në ato që cilësohen se “pikat e nxehta” në kryeqytet, ku mendohet se fshihen elementë kriminal të shpallur në kërkim. Nga ana tjetër, burime pranë bluve të kryeqytetit bëjnë të ditur se gatishmëria e Policisë së Tiranës do të vijojë deri në një afat të pacaktuar, ku synimi i tyre është identifikimi i personave të rrezikshëm dhe vendosja e tyre përpara drejtësisë. Th.S

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›