Korrupsioni me ujësjellësin e Bulqizës, ish-kryebashkiaku, Lefter Alla shkon për gjykim bashkë me 12 të pandehur

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla shkon për gjykim. Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), ka kaluar të martën për gjykim dosjen e paraqitur nga Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla dhe 12 të pandehurve të tjerë.
Avokati i ish-kryebashkiakut, Lefter Alla kërkoi pushimin e çështjes, por GJKKO vendosi të kalojë për gjykim dosjen, e cila do të jetë me procedurë të përshpejtuar për Allën dhe 10 të pandehur, ndërsa për dy prej të akuzuarve gjykimi do të jetë me procedurë të zakonshme.
Akuzat e SPAK ndaj Allës
SPAK bën me dije se ndaj Allës janë ngritur akuzat “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, si dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:
- Lefter Alla, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
- Enkeleda Lleshi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
3.Rubin Kola, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
- Arsen Gjoka, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
- Kujtim Zogu, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
- Erion Isaku, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, dhe “Korrupsion pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”.
- Leonard Daçi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
- Denis Xholi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
- Rasim Daci, akuzuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi qe ka për detyre te përpilojë dokumentin, kryer ne bashkëpunim e me shume se njëherë, dhe “Korrupsioni aktiv i personit qe ushtron funksione publike”.
- Aqif Konesha, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer ne bashkëpunim e me shume se njëherë.
- Ana Nishku, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi qe ka për detyre te lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim e më shumë se njëherë.
- Dali Gazidedja, akuzuar se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim e më shumë se njëherë.
13. Kastriot Ibrahimaj, akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve””, njofton SPAK.
Argumentet e SPAK
Nga analiza e provave të administruara gjatë hetimit, prokuroria pretendon se provohet dyshimi i arsyeshëm, se gjatë zhvillimit të procedurës së prokurimit publik nga Bashkia Bulqizë, me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja, për të cilën janë shpallur fitues operatorët ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k, rezulton se janë kryer veprime nga nëpunës publikë të Bashkisë Bulqizë në kundërshtim me Ligjin Për Prokurimet Publike dhe aktet nënligjore.
Sipas SPAK, “rezulton e provuar se zyrtarët e Bashkisë Bulqizë, konkretisht shtetasit Lefter Alla, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Leonard Daçi dhe Erjon Isaku në bashkëpunim me njëri-tjetrin për arsye të njohjeve apo lidhjeve me te hetuarin Rasim Daci, i cili është përfituesi “de jure” i tenderit dhe të hetuarit Aqif Konesha, i cili është përfitues “de facto” në tenderimet e kryera nga ana e Bashkisë Bulqizë, i kanë privilegjuar ata, duke krijuar avantazhe për këto dy subjekte, si gjatë procedurës së prokurimit, duke e shpallur fitues subjektin e shtetasit “R. D” pa përmbushur të gjitha kriteret e vendosura ne Dokumentet Standarde të Tenderit, por edhe gjatë fazës së zbatimit të punimeve, sepse punimet janë kryer nga subjekti i shtetasit Aqif Konesha, që nuk është shpallur fitues në procedurën e tenderit ku ka konkuruar, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore. Kjo me qëllimin e vetëm që të mos krijoheshin dyshime për lidhjet e të pandehurit Aqif Konesha me kryetarin e Bashkisë Bulqizë, të pandehurin Lefter Alla”.
“Kjo procedurë prokurimi është iniciuar dhe zhvilluar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe aktet nënligjore, pasi nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Bulqizë, konkretisht nga të pandehurit (kryetari i Bashkisë Bulqizë, zv/kryetarja e Bashkisë Bulqizë, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, anëtarët e Komisionit te Vlerësimit të Ofertave) janë ndërmarrë veprime aktive te kundërligjshme që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për paracaktimin/nxjerrjen fituese të një firme në këtë procedure prokurimit duke: i) miratuar kritere për të favorizuar një firmë pjesëmarrëse në tender; ii) Për ta kualifikuar dhe shpallur fitues firmën e favorizuar të hetuarit Rasim Daci, edhe pse nuk plotësonte kriteret në DST; iii) firma pjesëmarrëse në prokurim paraqiste vetëm dokumentacionin, ndërkohë punimet realizoheshin nga i pandehuri Aqif Konesha, i cili rezulton lidhje e afërt e Kryetarit të Bashkisë Bulqizë. Gjate hetimit u provua se nga subjekti i shpallur fitues ne këtë procedurë prokurimi ishin kryer pagesa monetare në favor të të hetuarit Erion Isaku, që kishte cilësinë e anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik në këtë procedurë”, sqaron SPAK.
Prokuroria pretendon se edhe gjatë fazës së zbatimit të kontratës janë evidentuar shkelje ligjore, pasi provohet tej dyshimit të arsyeshëm të mbështetura në prova, që të hetuarit Lefter Alla dhe Enkeleda Lleshi me mosveprime lidhur me punimet që janë bërë de facto nga shoqëria e të hetuarit Aqif Konesha që nuk përmbush kushtet dhe kriteret për kryerjen e këtyre punimeve, kanë cënuar interesat e ligjshëm të shtetasve, pasi subjekti që ka kryer de facto punimet nuk gëzon licencat e nevojshme për kryerjen e punimeve specifike për ujësjellësin që është një objekt me rëndësi jetike për qytetarët e Bashkisë Bulqizë.
“Ndaj mungesa e licencave profesionale nuk garanton standardin me të lartë shëndetësor të qytetarëve”, bën me dije SPAK.
Ndërsa të hetuarit Rasim Daci dhe Aqif Konesha, administratorët subjektit fitues dhe atij që ka kryer de fakto punimet.
“Në bashkëpunim edhe me të hetuarit e tjerë Ana Nishku, që ka kryer detyrën e mbikëqyrësit të punimeve dhe Dali Gazidedja drejtuesi teknik i punimeve, kanë përpiluar dokumente të falsifikuara gjatë zbatimit te kontratës duke pasqyruar faktin e rremë se punimet janë kryer nga firma fituese e procedurës se prokurimit, si dhe për faktin se aktet që dokumentojnë kryerjen e punimeve/mbikëqyrjen e punimeve janë përpiluar në kohë të ndryshme nga data që pasqyrojnë realisht ne dokumentet e zbatimit”, përfundon njoftimi i SPAK.
/rtsh.al/