E Diel, 1 Nëntor 2026

Kos: Dinamikë e re zgjerimi në BE, Plani i Rritjes do të hapë shumë dyer të tjera

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos deklaroi sot në Tiranë se Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor, duke  shtuar se “ky është një gabim që ne kemi bërë në të shkuarën dhe duhet ta korrigjojmë dhe ta rregullojmë këtë punë”

Në fjalën e saj në nisje të punimeve të Samitit “Plani i Rritjes -Rruga jonë drejt BE-së”, Kos theksoi se ky samit vjen pak pasi kemi publikuar paketën e zgjerimit të Bashkimit Europian, e cila ka sjellë një dinamikë të re në procesin e zgjerimit.

“Jam shumë e kënaqur që këto takime që ne po bëjmë për planin e rritjes po hapin gjithnjë e më shumë dyer”, tha Kos.

Komisionerja Kos pohoi 7 dyer që u përmendën prej Kryeministrit Rama duke theksuar se edhe shumë dyer të tjera do të hapen. “Shtëpia juaj Europa po ju pret, ju jeni pjesë e Europës ne thjesht duhet të bëjmë këtë gjë edhe në formë institucionale që ju të bëheni shtete anëtare të  BE-së”, u shpreh komisionerja Kos në tryezën e samitit ku të pranishëm ishin liderët e Ballkanit Perëndimor.

Sot, vijoi Kos, kemi ardhur këtu për të bërë një vlerësim të ecurisë për të parë çfarë ka ecur mirë me planin e rritjes dhe në cilat fusha duhet të bëjmë më shumë.

“Sepse tashmë kemi mbushur dy vjet nga zbatimi i planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor. Dy vite nga katër gjithsej jemi në pushimin mes dy pjesëve të parës që sapo mbaroi dhe të dytës që kemi përpara. Tani është momenti i duhur për të bashkëbiseduar kemi mjaft për të festuar, por duhet të jemi të sinqertë që dy nga 6 vendet e rajonit nuk kanë filluar të miratojnë reformat apo zbatimin”, nënvizoi Kos.

Komisionerja Kos u shpreh se “dy performuesit më të mirë kanë miratuar rreth 50% të refomave të dakordësuara dhe këtu ne shikojmë një lidhje shumë të mirë ndërmjet avancimit në procesin e anëtarësimit dhe reformave”.

Sa i përket fondeve të disbursuara, Kos theksoi se “jemi ende në 10% të shumës totale, dhe 400 milionë euro nga një paketë prej 6 miliardë eurosh që është lënë mënjane për rajonin. Ne mund dhe duhet të bëjmë më shumë të gjithë së bashku”.

Kos tha se diskutimet e sotme duhen shfrytëzuar për të planifikuar pjesën e dytë të zbatimit të planit të rritjes, ku siç u shpreh ajo, “mund të bëjmë më shumë, në cilat fusha mund t’ju mbështesim ju më mirë”.

“Komisioni Evropian dëshiron që plani i rritjes të jetë i suksesshëm dhe së fundmi kam folur shpesh për nevojën për të zgjeruar vetë nocionin e zgjerimit për të integruar të gjithë fqinjët tanë sa më shpejt të jetë e mundur në gjithnjë e më shumë fusha të ndryshme të politikave të BE-së. Për shembull vendet tuaja të bëhen pjesë e tregut tonë të përbashkët, e tregut tonë të energjisë e zinxhirëve paneuropian të vlerës”, tha Kos.

Ne, shtoi Kos, duam që BE të jetë tashmë që sot një realitet i prekshëm për qytetarët tuaj. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›