E Diel, 1 Nëntor 2026

Kos: Zgjedhjet e 11 majit, të lira dhe të ndershme

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos nënvizoi sot se zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, ishin të lira dhe të ndershme.

Deklarata e Komisioneres Kos, erdhi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

E pyetur nga gazetarët, në lidhje me raportin e fundit të OSBE/ODIHR që i cilësonte “zgjedhjet e 11 majit si një garë të pabarabartë, ku u keqpërdorën burimet shtetërore, dhe rrjeti i patronazhistëve”, Kos tha se zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme.

“Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime dhe kjo është gjë e mirë për Shqipërinë dhe BE-në”, tha Kos.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR publikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke vlerësuar se procesi ishte konkurrues dhe i mirëmenaxhuar, por i zhvilluar në një mjedis shumë të polarizuar dhe me mungesë mundësish të barabarta mes kandidatëve.

Raporti theksoi se administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa votimi jashtë vendit, i aplikuar për herë të parë, u realizua me sukses, pavarësisht sfidave organizative.

OSBE/ODIHR theksoi se kuadri ligjor pati mangësi të rëndësishme që duhet të adresohen për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, ku përfshihet përmirësimi i administratës zgjedhore, transparenca e financimit të fushatës dhe garantimi i lirisë së medias.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›