Kosova: Përfunduam furnizimin me medikamente të spitaleve
Tiranë- Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova ka njoftuar përfundimin e furnizimit me medikamente pas mbylljes në një kohë të shkurtër, të një procesi i cili tre muaj më parë po haste në vështirësi të mëdha.
Gjatë një takimi me krerët e spitale në vend, Kosova tha: Pavarësisht që buxheti ishte çelur që në fillim të vitit, deri në muajin Prill, nuk ishte kryer asnjë procedure e hapur tenderimi për furnizimin e spitaleve me medikamente, aq më tepër që listat e medikamenteve me nevojat e spitaleve ishin gati për prokurim. Duhet theksuar se, pavarësisht kryerjes së procedurave emergjente nga paraardhësit, në spitale vazhdonte të ishte një situatë e papranueshme dhe me mungesa të furnizimit me medikamente, gjë e cila nuk justifikonte procedurat e ndjekura, pasi kishte firma që nuk kishin furnizuar as 3% të nevojave të kontraktuara,- u shpreh Kosova.
Kosova u shpreh se për të analizuar situatën e krijuar u ngrit një grup punë për vlerësimin e procedurave të ndjekura dhe gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e situatës.
Gjithashtu Minsitri Kosova bëri me dije se u arrit të shpallen të gjitha procedurat për furnizimin e spitaleve me medikamente dhe materiale mjekësore dhe të kontraktohen pjesa më e madhe e tyre.
U shpallën gjithësej 7 procedura të hapura prokurimi me një fond limit në total prej 1,362,157,751 Lekë pa TVSh për prokurimin gjithësej të 326 lloje medikamentesh.
U arritën që të realizohej me sukses prokurimi i gjithësej 287 medikamenteve me një vlerë prej 967 642 070 leke pa TVSh nga 1 226 280 229 leke pa TVSH që ishte fondi limit i parashikuar për këto medikamente.
Pra në përfundim të këtyre procedurave të hapura, pati një kursim në total prej258,638,159 lekë ose rreth 21 % në vlerë absolute.
U shpallen gjithësej 4 procedura prokurimi me nje fond limit në total prej 309 807 532 lekë pa TVSH.
Deri sot, kanë përfunduar dhe janë duke u nënshkruar kontratat me spitalet e rretheve për materiale mjekesore me një vlerë totale prej 194 460 144 lekë pa TVSH nga 209 135 079 leke pa TVSh qe ishte fondi limit i parashikur.
Pra është arritur një kursim prej 14 674 935 lekësh ose rreth 8% në vlerë absolute.
U arrit të përfundonte me sukses procedura e prokurimit me objekt blerje pajisje mjekësore për bllokun e ri kirurgji-maternitet, Spitali Elbasan, me fond limit prej 41 666 666 lekë pa TVSH duke u realizuar kontrata për vlerën 36 644 800 pa TVSH pra më një kursim prej 5 021 866 lekë ose rreth 12% në vlerë absolute,-tha Kosova.
Kosova duke thënë se jane në proces vlerësimi për procedurat e prokurimit për furnizimin e QSUT-së me materiale mjekësore dhe pritet që brenda muajit Korrik të nëshkruhen të gjitha kontratat për shërbimin e neurokirurgjisë, kardiokirurgjisë dhe hemodinamikës, duke siguruar bazën e nevojshme materiale për funksionimin 24 orë të këtij shërbimi, shtoi: Mungesa në treg për një sërë medikamentesh, kryesisht citostatikë, na ka krijuar problem në lidhje me sigurimin e tyre dhe vënien në funksion të shërbimit të të sëmurëve të onkologjisë. Jemi në negocime me partnerë ndërkombëtare dhe organizma publike të vendeve partnere që të mundësojmë në një të ardhme të afërt sigurimin e tyre, në cilësinë më të mirë dhe në cmim jo monopol. Përvoja e krijuar këtë vit na mësoi se kur ka mangësi në planifikim të sasive dhe llojeve të medikamenteve, krijohen veshtirësi të mëdha në procesin e shpërndarjes në rrethe pasi ka raste kur në spitale të caktuara arrijnë sasi të pa kerkuara dhe të parakorduara më parë. Për këtë arsye ne kemi ngritur një task-forcë operative pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të monitoruar cdo shmangie që ka ndodhur si dhe për të mbështetur procesin e furnizimit të plotë të të gjitha spitaleve me të gjithë sasinë e planifikuar të medikamenteve.
Ministri Kosova i rikujtoi edhe njëherë publikut se ai ka një rol të rëndësishëm në rritjen e transparencës së shërbimit shëndetësor, ndërsa vuri në dukje se numri pa pagesë 0800 8111 është në dispozicion 24 orë në ditë për të denoncuar çdo rast.