Kosova, Shkupi i pavendosur për njohjen e pavarësisë
Shefi i diplomacisë maqedonase Antonio Milloshoski ka deklaruar se Shkupi është ende i pavendosur rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës. "Dëshirojmë që edhe me Prishtinën edhe me Beogradin të mbajmë marrëdhënie normale, sepse janë partnerë të rëndësishëm ekonomikë", ka thënë Milloshoski për gazetën e Vjenës "Prese", duke shtuar se forcat radikale në Serbi mund të dëmtojnë Maqedoninë. Milloshoski ka theksuar se secila parti shqiptare në Maqedoni është e interesuar për njohjen sa më të shpejtë të Kosovës, por siç tha, atyre u është shpjeguar situata.