Kosova anëtarësohet në European Film Promotion

Qendra Kinematografike e Kosovës bëhet anëtare e organizatës pan-evropiane të filmit European Film Promotion (EFP). Ky vendim është marrë në asamblenë gjenerale të kësaj organizate dhe është shpallur të enjten.
Kosova bëhet kështu shteti i 33-të europian që i bashkëngjitet këtij rrjeti të qendrave të filmit të Evropës. Me këtë, QKK gjegjësisht Kosova merr statusin e anëtarit të barabartë me të gjitha shtetet e anëtarësuara aty.
EFP është formuar para 14 vjetëve dhe është institucion unik për promovimin e filmave, me programe shumë të mira për aktorët (Shooting Stars), për producentët (Producers on the Move) dhe për regjisorët (Ten European Directors) që mbahen gjatë tërë vitit. Poashtu, me këtë aderim, Kosova përmes EFP-së do të promovojë filmat kosovarë si filma evropianë në tregjet e Azisë dhe Amerikës.
“Ky është një lajm tepër i mirë për Kosovën dhe kinematografinë e Kosovës. Nuk ishte lehtë të arrijmë deri këtu. Që kur e kam marrë detyrën në gusht të vitit të kaluar kam filluar aktivitetin për këtë anëtarësim. Kemi pasur edhe pengesa të shumta, dhe ka qenë proces i komplikuar, sidomos kur dihet se në këtë organizatë ka edhe shtete që nuk e kanë pranuar Kosovën, duke përfshirë edhe Serbinë. Por, në fund, e rëndësishme është që tani ne jemi anëtarë të barabartë dhe industria jonë, kineastët tonë do të kenë përfitime konkrete nga ky moment”, theksoi drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Fatos Berisha.
Edhe mediat më të mëdha që mbulojnë botën e filmit si Hollywood Reporter dhe Screen International e kanë botuar lajmin për aderimin e Kosovës në EFP.
Në shkrimin me titull ‘Kosova i bashkohet European Film Promotion’, Hollywood Reporter shkruan se shteti i Kosovës është përfaqësuar këtë vit për herë të parë në ‘European Film Market’ të Berlinit si dhe në ‘Marche du Film’ në Cannes.
“Vendi i vogël i Ballkanit, Kosova, i është bashkuar organit të marketingut të kinemasë pan-kontinentale ‘European Film Promotion’. Kjo lëvizje është përpjekja e fundit ndërkombëtare nga industria e filmit e Kosovës, e cila për herë të parë këtë vit, e hapi pavijonin në ‘European Film Market’ të Berlinit dhe në ‘Marche du Film’ në Cannes.
Qendra Kinematografike e Kosovës bëhet anëtari i 33-të i ‘European Film Promotion’ dhe do të përfitojë nga aktivitetet e përbashkëta promovuese, ku përfshihen programi ‘Shooting Stars’ në Berlin dhe ‘Producers on the Move’ në Cannes”, shkruan Hollywood Reporter, duke vazhduar “Me një popullatë prej 1.7 milionë banorë, industria filmike e Kosovës është ngjashmërish e vogël, por së fundmi ka prodhuar një numër të filmave, përfshirë komedinë ‘Gomarët e Kufirit’ të regjisorit Jeton Ahmetaj dhe dramën e luftës ‘Agnus Dei’ të Agim Sopit”.
Presidenti i European Film Promotion, danezi Christian Juhl Lemche deklaroi: “Jam i lumtur dhe i uroj mirëseardhje QKK-së në EFP. Shpresoj se aktivitetet e EFP-së do t’i ndihmojnë industrisë kosovare të filmit për të promovuar filmat dhe talentet ndërkombëtarisht dhe njëkohësisht pres kontributin e QKK-së për vetë EFP”.
Duhet theksuar se QKK gjegjësisht Kosova ka aderuar ne këtë organizatë para Bosnjës dhe Malit të Zi.
EFP financohet nga programi Media i Bashkimit Evropian dhe e ka selinë në Hamburg të Gjermanisë.