Edhe një masakër e al-Assad

Sipas zëdhënësit të Këshillit Kombëtar Sirian, Mohammed Sermini, “në fshatin al-Kabeir janë vrarë afro 100 njerëz, në mesin e të cilëve janë 20 fëmijë dhe 20 gra”. Sermini për këtë krim akuzon regjimin në Damask.
Misioni monitorues sirian për të drejtat e njeriut (SOHR) njoftoi se, masakra ndodhi në një fermë dhe se ajo është kryer nga pjesëtarët famëkeq të milicisë Shabiha, të cilët ishin të armatosur me pushkë dhe thika, menjëherë pas përfundimit të granatimit të fshatit nga forcat qeveritare.
Raportet dhe fotografitë nga vendngjarja u përhapën shpejtë nëpërmjet rrjeteve sociale, megjithëse ende nuk është e mundur të konfirmohet autenticiteti i tyre, për shkak se regjimi sirian ka ndaluar hyrjen e gazetarëve të huaj në vend. Megjithëse, edhe lajmet për masakrën e paradokohshme në Houla depërtuan në botë nëpërmjet rrjeteve sociale, e pastaj u konfirmuan edhe nga monitoruesit e OKB’së në terren.
Në fotografitë e publikuara të enjten shihen kufoma të djegura të shtrira përtokë, dhe një fëmijë i qëlluar me plumb në kokë.
Aktivistët lokalë opozitarë pohojnë se në mesin e viktimave ka shumë fëmijë e gra, dhe se viktimat fillimisht janë vrarë gjatë granatimeve tankiste e pastaj “punën” e kanë vazhduar forcat brutale të milicisë Shabiha. Aktivistët njoftuan se vetëm gjatë paradites së të enjtes kanë arritur të numërojnë 78 viktima, 35 prej të cilave i përkisnin vetëm një familjeje.
Si zakonisht, edhe për masakrën në al-Kabeir televizioni shtetëror sirian i akuzoi “terroristët” – një frazë kjo që, në fakt, aludon në forcat opozitare që po luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
Ndryshe, regjimi në Damask ka shkaktuar reagime të ashpra të bashkësisë ndërkombëtare kur gjatë masakrës dyditore (25 maj) që pasoi granatimin e qytetit Houla, atje ishin vrarë 108 civilë – kryesisht gra e fëmijë. Deri më tani, ky ishte bilanci më tragjik i viktimave që nga shpallja e armëpushimit, më 12 prill, në kuadër të planit paqësor të ndërmjetësit të OKB’së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan. Annan pritet të vjen në Siri të hënën e ardhshme.
Ndryshe, Annan ka paralajmëruar Sirinë se po rrëshqet pandalshëm drejt një lufte të përgjithshme në vend, që mund të ketë pasoja dhe dimensione shqetësuese sektare.
Kërkojnë ndërrim të shpejtë të pushtetit
Në ndërkohë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila ditë më parë është shprehur e frustruar me pozicionimin e Rusisë dhe Kinës lidhur me situatën e në Siri, po kërkon mobilizimin e mbështetjes në Turqi, prej nga i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të “mbyll vijat ekonomike që e mbajnë në jetë regjimin” sirian.
"Ne nuk mund ta braktisim besimin e popullit sirian, i cili po kërkon ndryshime të vërteta”, theksoi një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili po iu drejtohej gazetarëve pas takimit që sekretarja Clinton pati në Stamboll me zyrtarët e 16 shteteve rajonale dhe atyre evropiane. Menjëherë pas raporteve që flasin për masakrën e re në al-Kabeir, Clinton përsëriti në Stamboll qëndrimin amerikan se regjimi sirian i Bashar al-Assad duhet menjëherë të tërhiqet nga pushteti.
Nga ana tjetër, edhe kryeministri britanik, David Cameron, ka bërë thirrje për një “aksion të koncentruar” të bashkësisë ndërkombëtare kundër regjimit të presidentit Assad.
"Nëse këto raporte rezultojnë të vërteta, atëherë ky absolutisht është edhe një sulm brutal dhe i sëmurë” i regjimit sirian , nënvizoi ai në Oslo, ku po qëndron për një vizitë zyrtare.
Në një mesazh që qartazi se ua drejtoi Rusisë dhe Kinës, si dy shtete që po bllokojnë aksionin ndërkombëtar kundër Assad, kryeministri britanik tha se e gjithë bota duhet të tregojë se dëshiron një ndryshim të pushtetit në Damask.
"Sinqerisht, mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet që, absolutisht, të dënojë këtë regjim dhe vetë presidentin Assad për atë që po bëjnë.
Mendoj se ka shumë shtete të ndryshme në botë – shtete këto që janë pjesë e tavolinës së Këshillit të Sigurimit të OKB – që duhet të ulen sot dhe ta diskutojnë këtë çështje.
Asnjëra nga to nuk duhet të ketë mundësi që të fshihet nga fakti se, nëse kjo gjë del e vërtetë, presidenti Assad edhe njëherë po na e demonstron se regjimi i tij është plotësisht jolegjitim, dhe se [si i tillë] nuk mund të qëndrojë më”, theksoi Cameron.
Ndryshe, pritet që, si pasojë e masakrës në al-Kabeir, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB të jetë prezent edhe ndërmjetësi ndërkombëtar, Kofi Annan, ku ai do të duhej të prezantojë një propozim të ri për përfundimin e konfliktit 15-mujor në Siri.
Kjo lëvizje shihet si përpjekje e fundit për shpëtimin e planit paqësor për Sirinë, sepse pritet që Annan të propozojë krijimin e njëlloj “kontakt grupi” për Sirinë, propozimet e të cilit do të ishin të pranueshëm për aleatët e Sirisë - Kinën dhe Rusinë, si dhe për SHBA dhe aleatët evropianë – të cilët insistojnë në tërheqjen e menjëhershme të Bashar al-Assad nga pushteti.
Rusët po përgatisin ushtrinë?
Ministria ruse e Mbrojtjes po punon në planin për veprimin e ushtrisë jashtë territorit rus. Një prej vendeve ku mund të prite aksioni i forcave ruse është Siria.
Detajet e planit po koordinohen në selinë e Organizatës së Marrëveshjes për Siguri Kolektive (OUKB) dhe në strukturën rajonale antiterroriste të Organizatës së Shanghait për Bashkëpunim, pohon gazeta e pavarur ruse ‘Nezavisnaya Gazeta’. Sipas gazetës, si konfirmim jozyrtar i këtyre pohimeve është edhe deklarata e sekretarit të përgjithshëm të OUKB, Nikolay Bordjuza, i cili ka paralajmëruar mundësinë e pjesëmarrjes së forcave të OUKB në zgjidhjen e krizës në Siri.
Por, një burim anonim brenda Ministrisë së Mbrojtjes i tha gazetës se, për veprimin e forcave ruse jashtë vendit – përfshirë Sirinë – nevojitet një vendim politik i kreut të vendit , si dhe një rezolutë e OKB’së.
Deklarata e Bordjuza, se në “Siri duket se ka nevojë për një operacion, për krijimin e paqes”, ngase atje po luftohet mes dy palëve të armatosura, e ka shtyrë atë që të përfundojë se “forcat paqeruajtëse atje do të futeshin në ferr”.
Si konfirmim se ky skenar po shqyrtohet seriozisht, gazeta përmend se disa ditë më parë ushtria ruse inspektoi divizionin sulmues Pskovska 76, që konsiderohet një nga njësitet më të rëndësishme luftarake ruse. Ky njësit ushtarak që ishte pjesë e operacionit paqeruajtës në Kosovë (1999), luftës në Çeçeni (1994) dhe asaj në Gjeorgji (2008), në vitin 2004 u emërua si njësiti i parë rus me përbërje profesioniste.