Kosova dhe Egjipti pajtohen për bashkëpunim
_2627.jpg)
Krasniqi e ka njoftuar homologun për situatën e përgjithshme të rinisë në Kosovë. Me theks të veçantë, Ministri Krasniqi është ndalur tek legjislacioni që e rregullon fushën e rinisë, strategjitë, organet përfaqësuese të rinisë dhe format e bashkëpunimit dhe përkrahjes së rinisë. “Me këtë rast ministri shprehu gatishmërinë që Kosova dhe Egjipti të shkëmbejnë përvojat me të mira me Egjiptin për hartimin e legjislacionit dhe strategjive nacionale për rininë, duke pasur parasysh që MKRS ka një legjislacion bashkëkohor, në përputhje me standardet ndërkombëtare, të hartuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat ndërkombëtare”, thuhet në një komunikatë të MKRS-së.
Nga ana e tij, Ministri Yassin ka thënë se Egjipti duhet të sforcojë përkrahjen për Kosovën dhe se bashkëpunimi midis dy shteteve do të jetë në nivele dhe protokolle shtetërore, e njëjta si me shtetet tjera të pavarura. Ai po ashtu i ka shprehur vullnetin Ministrit Krasniqi që Egjipti ta njoh Kosovën sa më shpejtë.
Të dy ministrat janë pajtuar për shkëmbimin e programeve të rinisë dhe për bashkëpunimin midis dy Ministrive për politikat rinore. Është biseduar mundësia e shkëmbimit të përvojave dhe Ministri Yasin ka kërkuar që Kosova ta ndihmojë Egjiptin me shembullin e vet për sa i përket legjislacionit dhe politikave të fushës së rinisë. Diskutimet ndërmjet ministrave do të vazhdojnë në mbrëmje në një darkë pune të shtruar për nder të Ministrit Krasniqi.
Pas takimit me ministrin Yassin, delegacioni nga Kosova ka vizituar edhe Kalanë e Saladinit në Kajro, ku janë pritur nga zyrtarët e këtij institucioni të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të Egjiptit. Këtu delegacioni ka vizituar muzeumet që janë pjesë e këtij kompleksi, duke përfshirë edhe xhaminë e Muhamed Ali Pashës, shqiptarit që themeloi shtetin modern të Egjiptit.