PNDSH: Po bie opozita, jo Qeveria

Partia Nacionale Demokrate shqiptare ka shprehur pakënaqësinë për atë që po ndodh ndërmjet partive opozitare në Kosovë; LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së në Parlament dhe Jashtë Parlamentit.
Bujar Abdullahu ka pohuar se edhe ato pak shpresa, se mund të ketë pajtim mendimesh, bashkërendim pragmatik konceptesh dhe bashkëveprim antiqeveritar të partive aktuale opozitare në Kuvend, gradualisht po shuhen. Siç, ka thënë ai po krijohet përshtypja, mbase bindja, të një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës, se partitë opozitare në Parlament nuk e kanë seriozisht, as kur thonë se duan ndryshime, as kur thonë se këtë Qeveri nuk e meriton Kosova, e aq më pak kur thonë se kjo Qeverie duhet të bije.
“Në të vërtetë, në vend se të bije kjo Qeveri si rezultat i punës unike të opozitës, pas asaj që dëgjuam ditë më parë, që ishte shkëmbim i pavend dhe i panevojshëm akuzash, ndërmjet partive parlamentare opozitarë, mund të konstatohet se po bie opozita. Kjo është papërgjegjësi e pajustifikueshme, jo vetëm politike, para votës shumicë, e cila i është dhënë partive opozitare në zgjedhjet e fundit”, ka thënë ai.
PNDSH po ashtu konsideron se jo rrallë herë, korrektësia opozitare e LDK-së, po kualifikohet si hezitim demobilizues nga pala tjetër, konkretisht nga VV. Kurse jo rrallë mos hezitimi opozitar i VV po kualifikohet si rebelim dezorientues nge LDK. Ndërkaq AAK gjithnjë e më pak, po shihet si partnere opozitare. Këto qasje, vlerësime e kritika ndër opozitare, sipas Abdullahut, mund të jenë gjithçka por në asnjë variant, jo politikë në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Përkundrazi, sipas tij, ato po ushqejnë jetë zgjatjen e kësaj Qeverie, e cila gjithnjë e më shumë po i lë këtë qytetarë, pa një jetë të mirë, e të denjë.
“Është koha e fundit, që ndërmjet tri partive më të mëdha opozitare në Kosovë, të ketë sa më shumë tolerancë dhe fleksibilitet opozitar. Të ketë largpamësi dhe vizion opozitar dhe mbi të gjitha bashkërendim veprimesh, për të cilat ka pajtime. Është koha për një tryezë opozitare për pajtime, veprim unik. Nëse kjo nuk ndodh, Presidentja e shtetit do të jetë edhe më në karrigen që nuk e meriton. Privatizimi do të vazhdojë me avazin e vjetër. Do të kemi një sistem bankar mafioz, shpërndarje jo proporcionale të buxhetit, mungesë të qëndrueshmërisë ekonomike. Korrupsionin nuk ka kush ta ndalë dhe më e keqja dështimet dhe humbjet nga bisedimet me Serbinë, do të servohen pa pengueshëm si fitore e radhës”, ka pohuar Abdullahu.