E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova drejt zgjedhjeve, Pacolli tërhiqet

PRISHTINE- Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, shtatë javë pas përfundimit të një cikli të gjatë zgjedhor, të nisur më 12 dhjetor të vitit të kaluar.  Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli, duket të kenë dështuar të hënën ne mbremje.

Gazeta kosovare Express shkruan sot se autoritetet vendase dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë aktualisht nuk shohin zgjedhje tjetër të situatës, përveç shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Në takimin që ka pasur Hashim Thaçi me Behgjet Pacollin të dielën në darkë, ky i fundit ka pranuar të tërheqë kandidaturën për postin e Presidentit. Ish-Kryetari i AKR-së është pajtuar që Kryeministri të nisë përpjekjet për gjetjen e një emri konsensual për postin e shefit të shtetit, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e parakohshme, ka treguar burimi i gazetës.

Të hënën, Kryeministri Thaçi për këtë shkak është takuar sërish me Behgjet Pacollin, ashtu sikurse që të dy janë takuar edhe me përfaqësues të shteteve të fuqishme të akredituar në Prishtinë.

Qëllimi i Hashim Thaçit ka qenë që, pas gatishmërisë së Pacollit për tu tërhequr nga kandidatura dhe kërkesave të vazhdueshme të opozitës për President konsensual, ti bëhet ftesë LDK-së – si partia më e madhe opozitare – që të propozojë emra për President konsensual. Kështu do të krijohej një traditë që Presidenti të zgjidhet me konsensus. Derisa për AKR planifikonte të ndante deri në shtatë ministri, ka treguar diplomati perëndimor që foli për Express.

Ky propozim edhe i është bërë të hënën Isa Mustafës përmes një ambasadori të akredituar në Prishtinë.

Mustafa është shprehur se Presidenti konsensual është vetëm një nga kushtet. Kushti kryesor, sipas tij, është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në verën e vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›