E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosova ende pa Kuvend, Peci: Nëse s’ka marrëveshje këtë javë, t’i rikthehemi qytetarit

Seancat për konstituimin e Kuvendit të Kosovës janë shndërruar në një rutinë disa minutëshe, ku deputetët nuk arrijnë të gjejnë dakordësim për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Edhe në seancën e kësaj të hëne, për herë të 50-të me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 23 korrik.

Kryetari i partisë Guxo, Faton Peci, bëri thirrje për reflektim nga partitë politike, duke paralajmëruar mundësinë e kthimit te qytetari në mungesë marrëveshjeje brenda kësaj jave.

“Dua të besoj reflektim nga partitë politike, nëse nuk kemi nga Nisma e nga LDK, në këtë rast si bashkëkryetar i Guxo, mendoj që është faza kohore kur seriozisht gjitha partitë duhet t’i thirrin arsyes e të shohin mundësitë reale të diskutimit që t’i rikthehemi qytetarit”, tha Peci.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, akuzoi për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar një krizë të thellë kushtetuese.

“Nuk shoh dhe nuk pres ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura. Ajo çka pritet pas afatit 30 ditor, të kemi një interpretim të ri të Gjykatës Kushtetuese. Por ne kemi një interpretim dhe një mos respektim të saj, që do të thotë kemi përmbysje të rendit kushtetues”, tha Abdixhiku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›