Kosova ende pa Kuvend, rrëzohen tre kandidaturat e Vetëvendosjes! Opozita: Duhen konsulta mes grupeve parlamentare

Të tre kandidaturat e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të ri të Kuvendit të Kosovës janë rrëzuar me votimi, ku opozita nuk ka pranuar asnjërën prej tyre. Edhe në seancën e kësaj të diele, 24 gusht, partitë politike nuk mundën të konstatonin Kuvendin, proces që zvarritet prej muajsh.
Asnjë nga kandidatet Hekuran Murati, i cili kishte votimin e dytë, Dimal Basha dhe Arbërie Nagavci nuk arritën të merrnin votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit.
Deputeti Dimal Basha nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme, ku vetëm 57 deputetë votuan pro, 25 kundër dhe 24 abstenim. Ndërsa dy kandidaturat e tjera Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci siguruan vetëm 55 vota pro.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e kësaj partie se nuk votojnë emra nga kabineti qeveritar. Krasniqi ka bërë thirrje që në seancën e radhës në rast të dështimit të një propozimi, të jepet pauzë për konsultë ndërmjet grupeve parlamentare.
“Përmes zëvendëskryesueses së Kuvendit, deputetes Sala Jashari u munduam ta kemi miratimin e kërkesës për pauzë 10 minutëshe, Dehari e shpërfilli fare e që sot do të mund të ishte mundësia më e mirë për ta votuar kryetarin e Kuvendit qoftë edhe nëse ai do të ishte Dimal Basha. Ata që s’janë ministra mund ta kenë votën tonë. Sot ka mundur të jetë ai Dimal Basha. Por arroganca e tyre duhet të kuptojnë që s’e kemi borxh ta votojmë VV-në”, tha Krasniqi.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesën e konsultës me grupet parlamentare para propozimit të emrave për kryeparlamentar.
“Duhet konsultim mes grupeve parlamentare. Ne i kemi dhënë disa qëndrime e emra që me automatizëm do t’i votonim, por për kandidatët e tjerë duhet konsultë paraprake”, tha ajo.
Seanca e radhës do të mbahet më 26 gusht.
/rtsh.al/