E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosova feston Pavarësinë, presidentja Osmani e kryeministri Kurti nderojnë të rënët

Kosova feston 17-vjetorin e pavarësisë.

Ceremonia shtetërore ka nisur me ngritjen e flamurit të Republikës së Kosovës, ku morën pjesë  presidentja e vendit Vjosa Osmani , kryeministri Albin Kurti si dhe anëtarë  të kabinetit qeveritar.

Osmani falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë.

“Është një ditë kur ne kujtojmë sakrificën shekullore të cilën e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është ditë kur investojmë sukseset që ka arritur republika jonë duke forcuar sovranitetin, subjektitetin ndërkombëtar, duke forcuar sundimin e ligjit dhe demokracinë. U themi faleminderit nga zemra. Duke filluar nga arkitekti i pavarësisë tonë presidenti historik Rugova, e komandanti legjendar Adem Jashari e deri tek secili qytetar”, tha Osmani.

Ndërkohë qeveria mbajti një mbledhje solemne. Në fjalën e tij  kryeministri Albin Kurti shprehu mirënjohjen dhe nderime për ata qe u flijuan për lirinë.

“Ne sot nderojmë të gjithë ata që sakrifikuan e u flijuan për lirinë tonë, nga heronjtë dëshmorët e martirët, tek invalidët e veteranët e UÇK-së, te veprimtarët e qytetarët që qëndruan përballë sfidave. Të gjithëve u jemi mirënjohës. Liria që kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci që të dëgjohet zëri i popullit. Demokracia kërkon institucione të forta, mbrojtje të ligjit, e që garantojnë se pushteti u shërben qytetarëve. Republika jonë sot është më e fortë se kurrë më parë, jo vetëm sepse kemi investuar në siguri e mbrojtje, por kemi forcuar institucionet demokratike, e kemi normalizuar funksionimin e tyre. Ekonomia po rritet shpejt e qëndrueshëm”, tha Kurti.

Organizimi vijoi me nderimet në monumentin e të pagjeturve  dhe memorialin e fëmijëve të vrarë.

Homazhe u bënë më pas  te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaci.

Një sërë organizimesh, përfshirë edhe parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, priten gjatë ditës për nder të 17-vjetorit të pavarësisë.

Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu.

Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, vendi deklaroi këtë ditë të shënuar, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova sapo ka dalë nga  procesi zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja.

Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e  kryeministrit  Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme./vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›