E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Thaçi duhet të festonte në Kosovë”, Grenell: Evropa ka dështuar të korrigjojë këtë padrejtësi

Duke uruar Kosovën në ditën e pavarësisë së saj, i dërguari i SHBA-ve për misione të posaçme Richard Grenell  e ka cilësuar të padrejtë burgosjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë.

“I uroj të gjithë miqve të mi në Kosovë një festë të gëzueshme dhe të sigurt në 17 vjetorin e pavarësisë së tyre. Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë, jo pas hekurave në Hagë”, tha Grenell.

Grenell ka vendosur para përgjegjësisë Evropën dhe institucionet shtetërore të Kosovës  për dështimin e ndërmarrjes se veprimeve të nevojshme  për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie.

“Evropianët nuk kanë arritur të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund”, tha Grenell.

Ish-presidenti Hashim Thaçi  së bashku me ish -drejtuesit e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi  akuzohen nga Gjykata e Hagës  për krime lufte gjatë viteve 1998-1999./vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›