E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova komplet e pavarur

Delegacione nga e gjithë bota, në Prishtinë. Ndërkombëtarët  tërhiqen nga mbikëqyrja.

Kuvendi, seancë solemne, flasin edhe miqtë nga jashtë.

Grupi Drejtues Ndër-kombëtar ka vendosur një gur themeli të rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës, duke hequr dorë nga mbikëqyrja e saj. Që sot qeveria e Kosovës vendos plotësisht vetë. Ekspertët e politikës e vendimmarrjeve që kanë vëzhguar në detaje çdo hap që ka hedhur republika më e re në Europë për të respektuar obligimet e saj si një shtet i vërtetë, besojnë se reformat që kërkonte paketa e Ahtisarit janë arritur në mënyrë substanciale. Por do të mbeten ende në Kosovë NATO, për të ndihmuar në çështjet ushtarake, si dhe EUlEX për të ndihmuar në çështjet ligjore. Katër vjet e gjysmë pasi deklaroi pavarësinë nga Serbia, më në fund, 25 anëtarët e GDN që kanë monitoruar pavarësinë e Kosovës (20 vende të BE, plus Kroacia, Norvegjia, Zvicra, Turqia e SHBA), kanë rënë dakord se plani i Ahtisarit mbi të cilin u mbështet pavarësia e Kosovës, është përmbushur. Zyra e GDN e drejtuar nga Piter Feith, e cila kishte të drejtën për të përmbysur vendimet e qeverisë kosovare, u mbyll dje. Delegacione nga e gjithë bota mbërritën dje në Prishtinën e zbukuruar me flamuj shtetërorë. Delegacionet nga shumë vende të botës kanë mbërritur në Kosovë me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Të gjithë u pritën me nderime shtetërore nga Garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. U ndanë edhe dhurata: pajisje për mbushjen e aparateve me rreze diellore, e cila është shpikur nga shqiptari Kushtrim Xhakli. Dhurata ishte simbolike për këtë ditë, që ata të pavarësohen nga energjia elektrike. Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne në nder të shpalljes së fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në hapjen e seancës duke uruar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, e vlerësoi atë si një ditë të shënuar që u takon qytetarëve të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi duke vlerësuar arritjet, pranoi se ka ende sfida të rëndësishme të cilat presin të zgjidhen. Çështja e Veriut do të jetë një përgjegjësi shtesë për mua. Unë kam prezantuar në Uashington dhe në Bruksel një plan për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, theksoi Thaçi. Në Kuvend Presidentja Atifete Jahjaga tha se Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti.
Në seancën solemne folën edhe Marti Ahtisari, Frank Uizner, Volfgang Ishinger etj. Aktivitetet shtetërore vazhdojnë edhe sot.

Udha e Kosovës drejt pavarësisë

Nga spastrimi etnik i serbëve në vitet 90, ndërhyrja e NATO-s, negociatat e gjata dhe pavarësia e plotë.

Katër vitet e mbikëqyrjes deri te fundi i Planit të Ahtisarit.

Gjatë shpalljes së vendimit për heqjen e mbikëqyrjes

U desh një rrugëtim i gjatë që Kosova të arrinte të qeveriste plotësisht veten, negociata të gjata, një plan me mospajtime nga të dyja palët dhe shumë reforma e sfida. Por sot, pas dekadash lufte për të drejtat e saj, 13 vitesh protektorati nga NATO, katër vitesh e gjysmë pavarësie të mbikëqyrur, Kosova është një vend plotësisht i pavarur. Nuk ka arritur ende të jetë anëtare e OKB-së, por ka marrë mbi 90 njohje nga vende të rëndësishme nga të gjitha kontinentet. Nga organizatat ndërkombëtare, Kosova bën pjesë në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sfidat do të vazhdojnë, për të arritur numrin e njohjeve që të kthehet në një anëtare më të drejta të plota në OKB, si dhe integrimi i pjesës veriore, të cilën Beogradi po e mban me thonj me strukturat paralele, të cilat bën sikur nuk i njeh. Konflikti i Kosovës me Serbinë, edhe pse mospajtimet zgjasnin prej dekadash, ka arritur kulmin në vitin 1999 gjatë regjimit të Slobodan Milosheviçit. Lufta e Kosovës në vitin 1999 detyroi ndërhyrjen e forcave të NATO-s për ti dhënë fund gjenocidit dhe spastrimeve etnike të ushtrisë serbe ndaj popullit të Kosovës, me një fushatë 78-ditore bombardimesh që i nxori ushtarët serbë jashtë Kosovës si dhe nxiti Këshillin e Sigurimit të OKB-së të miratojë një rezolutë (Rezoluta 1244), mbi një marrëveshje mes ish-Jugosllavisë dhe NATO-s. Ky ishte hapi i parë drejt procesit për statusin e Kosovës, që nisi në vitin 2005. Por, negociatat për të përcaktuar një status për Kosovën, që do të ishte i pranishëm nga të dyja vendet, dështuan. Në vitin 2007 u formulua një plan nga i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Plani i tij u pranua nga qeverisja lokale në Kosovë e po ashtu nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, por u kundërshtua fort nga Serbia e Rusia. Rreth një vit më vonë, e mbështetur nga SHBA dhe disa vende europiane, më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, bazuar në planin e Ahtisarit. Pavarësia kishte nga pas përkufizimin e mbikëqyrur. Kur kushtet e vendosura në planin Ahtisari u plotësuan në pikat kyçe, GDN vendosi ta lejojë qeverinë e Kosovës që të ketë kompetenca të plota.

Ahtisari, i ftuar nderi në Kosovë: Rrugëtimi ynë përfundoi me sukses

Ahtisari gjatë mbërritjes në Aeroportin e Prishtinës

Njeriu që përpiloi planin për pavarësinë e Kosovës më shumë se katër vjet më parë, Marti Ahtisari, nuk mund të mungonte në një nga ditët më të rëndësishme të vendit. Plani i tij si ndërmjetësues paqeje i zgjidhjes për konfliktin Kosovë-Serbi, i cili ofroi pavarësi nga Serbia me mbikëqyrje ndërkombëtare, ishte thelbësor për arritjen e pavarësisë së plotë të vendit pas më shumë se katër vjetësh me reforma e sfida. Marti Ahtisari u prit dje në Prishtinë me nderimet më të mëdha. Ai ishte i ftuar nderi i Kosovës me rastin e shënimit të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari, ai u prit nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nobelisti i Paqes mbajti një fjalim përpara Kuvendit të Kosovës, i cili u drejtohej jo vetëm ligjvënësve, por edhe mbarë popullit, duke kujtuar fillimisht fazat e vështira me negociatat me Serbinë dhe zbatimin e planit të tij për Kosovën, të cilin ai e quajti të suksesshëm. Jam sot këtu për të përfunduar një rrugëtim. Suksesi në Kosovë e Serbi nuk gjendet në duartrokitje, por në përkushtimin ndaj një plani. Arritjet e Kosovës janë suksesi ynë i përbashkët. OKB dhe BE e kanë monitoruar Kosovën më shumë se çdo shtet tjetër, por mbikëqyrësit më të denjë të pavarësisë janë vetëm qytetarët e Kosovës. Kosova tani do të mbikëqyret vetëm përmes raport-progresit të KE-së, tha ai.

Uizner e Ishinger
Të ftuar në Kosovë ishin edhe dy nga tre ambasadorët e Trojkës, gjermani Vofgang Ishinger dhe amerikani Frank Uizner. Përfaqësuesi rus mungonte. Përgëzimet e mia. Jam i gëzuar që pavarësia e Kosovës ka qenë e rëndësishme për SHBA, pasi nëse nuk do të kishte paqe në këtë vend, nuk do të kishte paqe në Ballkan dhe as në Europë

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›