E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kosova" mirëpritet në Tiranë

Të mërkurën në Tiranë, në ambientet e kampus universitetit "Vitrina" u promovua "Kosova" e Jusuf Buxhovit.

Në një auditorium akademik, ku ishin të pranishëm shumë nga profesorët dhe ligjëruesit e njohur të këtij Universiteti, në të cilin ekziston Instituti i Studimeve Pellazge, për veprën e historianit Buxhovi folën Kozeta Zavalani, prorektori Teki Kurti si dhe profesor Lutfulla Peza.

Duke e prezantuar punën shkencore të Buxhovit, profesoresha Zavalani tha se në përvjetorin e njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë, "Kosova" paraqet një dhuratë të çmueshme historiografisë shqiptare, me të cilën i hapën rrugët një të menduari ndryshe jashtë kornizave ideologjike dhe stereotipeve që e kanë ngarkuar deri më tani shkencën tonë. Profesor Teki Kurti vlerësoi lartë "Kosovën" duke e quajtur një vepër tepër të rëndësishme shkencore.

“Puna e Buxhovit, jo vetëm që do të fitojë mbështetës në qarqet tona shkencore, por ajo do t'u hapë rrugë hulumtimeve të mëtutjeshme të çështjes pellazge”, tha Kurti. Profesor Lutfulla Peza vlerësoi punën e Buxhovit duke e quajtur atë te një rëndësie tepër të madhe për historiografinë tonë, e cila mund t'i hidhërojë me të drejtë falsifikatorët nga radhët e akademikëve serbë dhe gjithë ata që për fat të keq edhe në shkencën shqiptare nuk po ia dalin të lirohen nga kthetrat e saj.

Autori, Buxhovi, me këtë rast, tha se pritja që i është bërë "Kosovës" në Tiranë dhe mirënjohja e shprehur nga kolegët shqiptarë, paraqesin një mbështetje të fortë për punën e tij të mëtutjeshme hulumtuese dhe shkencore, e cila do të vazhdojë me plotësimin dhe zgjerimin e kësaj vepre, që pritet të bëhet së shpejti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›