E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i fundit i Aliut

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare u promovua libri me tregime ‘Libri i fundit’ i shkrimtarit Gëzim Aliu.

E ka titulluar ‘Libri i fundit’ por kjo nuk do të thotë se nuk do të shkruajë më. Shkrimtari Gëzim Aliu sapo ka botuar librin e tij të tretë, të parin me tregime. ‘Libri i fundit’, i botuar nga shtëpia botuese ‘PA’, u promovua të enjten, në Bibliotekën Kombëtar edhe Universitare në Prishtinë.

Në përmbledhjen prej 14 tregimesh ndërthuret mjeshtëria e ndërtimit të tensionit dramatik me komponentin e evidentimit të karaktereve. Depërtimi në sferat e vetëdijes së individit zhvendoset në një kontekst të gjerë sociopsikologjik.

Për librin folën studiuesja Donika Dabishevci dhe studiuesi Bardh Rugova, ndërsa me komente të ndryshme apo edhe me pyetje drejtuar autorit u paraqitën edhe studiues dhe shkrimtarë të tjerë të pranishëm.

Studiuesja Donika Dabishevci theksoi se ngjarje të shumta surreale i përcjellin tregimet e Aliut, ndërsa, sipas saj, veprimi i personazheve të çuditshme krijon efektet e refleksioneve në nivel fenomenesh.

“Drama e brendshme shpirtërore e personazheve jepet përmes mendimit të ngjeshur, duke u portretizuar jo vetëm përmes tipareve fizike; personazhet trajtohen deri në nivel të paraqitjes së kontradiktave dhe ballafaqimit të tyre me situata ekstreme”, tha Dabishevci. Ajo shtoi se nga ana formale, tregimet janë të ndara në dy pjesë, me nëntitujt: Shtatë tregimet e para dhe Shtatë tregimet e dyta. Libri fillon me tregime të gjata dhe përfundon me tregime të shkurtra, që sipas Dabishevcit, është një gradacion formal mirë i konceptuar.

“Në pjesën e parë hyjnë tregimet e gjata, me digresione dhe kthim retrospektiv, ku fabula është më e dendur dhe më e shtrirë në kohë, në hapësirë e në ndërlikim ngjarjesh, ndërsa në pjesën e dytë gjenden rrëfime më të shkurtra, me koncentrim fabular”, tha Dabishevci.

Ndërkaq, studiuesi Bardh Rugova theksoi se përmbledhja me tregime e Aliut sjell dy elemente të reja, të dukshme, të prekshme që hyjnë sefte në letërsinë shqipe. Në rrafshin gjuhësor, sipas Rugovës, të dyja këto elemente janë njësi strukturore, njëra e nivelit sipërfaqësor dhe tjetra e nivelit të thellë.

“E para, ajo e strukturës së thellë ka të bëjë me mënyrën e ndërtimit të personazhit dhe të dramës. Autori ndërton një referencë kataforike, duke e nisur rrëfimin për një ai e ajo që më vonë gjatë rrëfimit do të shndërrohen në një personazh me tipare karakteristike dhe të kapshme e të motivuara. Shndërrimi i përemrit ai ose ajo në një personazh të plotë ose në variantin më të butë personazh të plotësuar edhe ndërtimi i dramës mbi këtë personazh është një tipar dallues i secilit nga katërmbëdhjetë tregimet”, tha Rugova. Sipas tij, boshti i tregimit mbështetet në amplituda të krijuara nga shmangie të qëllimshme nga e pritshmja. Ndryshe prej promovimeve të tjera ku në fund flet edhe autori, Aliu në vend që të flasë, preferoi të lexonte një tregim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›