Kosova në listën e “vendeve të sigurta” nga BE-ja, ministrja Koçiu: Njohje e pjekurisë shtetërore, Shqipëria zëri juaj më i fortë

Ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka përshëndetur votimin e fundit në Parlamentin Evropian, i cili i hap rrugë përfshirjes zyrtare të Republikës së Kosovës në listën e vendeve të origjinës që konsiderohen të sigurta.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu e cilësoi këtë zhvillim si një lajm të shumëpritur, që vërteton progresin e bërë nga Prishtina zyrtare në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Sipas Ministres Koçiu, ky vendim i Parlamentit Evropian nuk është thjesht një procedurë burokratike, por një certifikatë pjekurie për institucionet e Kosovës.
“Ky votim konfirmon pjekurinë institucionale dhe arritjet në konsolidimin e shtetit të së drejtës,” shkruan ajo, duke shtuar se ky është një sinjal i qartë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe konfirmim se rruga drejt integrimit evropian është e pakthyeshme.
Koçiu ritheksoi angazhimin e palëkundur të Tiranës për të mbështetur Prishtinën në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria do të mbetet gjithmonë zëri më i fortë në mbështetje të Kosovës në çdo tryezë ndërkombëtare, me bindjen se konsolidimi i statusit ndërkombëtar të Kosovës është kusht i domosdoshëm për paqen,” theksoi ministrja.
Urimi për homologun Sveçla
Në mesazhin e saj, Ministrja Koçiu gjeti rastin të urojë edhe homologun e saj në Kosovë, Xhelal Sveçla, për rikonfirmimin në detyrë si Ministër i Punëve të Brendshme në kabinetin e ri qeveritar të drejtuar nga Albin Kurti.
Ajo shprehu besimin se bashkëpunimi dypalësh në fushën e sigurisë do të intensifikohet më tej. “Bashkëpunimi ynë do të vijojë me vendosmëri drejt standardeve evropiane, si prioritet i agjendës sonë të përbashkët për më shumë siguri për qytetarët e vendeve tona,” përfundoi Koçiu.
Përfshirja në listën e vendeve të sigurta pritet të ketë ndikim në procedurat e azilit dhe në perceptimin e sigurisë së Kosovës nga shtetet anëtare të BE-së.
/rtsh.al/