E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nën alarm për stuhi

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX) ka përfshirë Kosovën në zonën me nivelin më të lartë të rrezikut (Niveli 3). Ata kanë paraparë se do të ketë një shpërthim të fuqishëm të motit ekstrem me valë reshjesh gjatë ditës së martë dhe do të përfshijnë orët e para të së mërkurës.

Sipas meteorologëve, ekziston mundësia që stuhi të fuqishme të formuara mbi Detin Adriatik të lëvizin drejt Ballkanit dhe të ruajnë intensitetin e tyre edhe mbi territorin e Kosovës.

Në nivelin e 3 të alarmit, përveç Kosovës, ESTOFEX ka përfshirë Malin e Zi, Bosnjën jugore, Kroacinë jugore, dhe disa pjesë të Italisë.

Kjo ka ndodh kryesisht për shkak të rrezikut nga breshëri shumë i madh, erërat shkatërruese dhe në një masë më të vogël, tornadot.

Sipas analizës së publikuar, meteorologët paralajmërojnë se situata atmosferike mund të rezultojë në një nga episodet më të fuqishme të motit ekstrem në rajon për këtë verë.

Për vendin tonë dhe rajonin parashikohen kushte shumë të favorshme për zhvillimin e stuhive, të cilat mund të sjellin breshër shumë të madh, erëra me potencial shkatërrues dhe, në raste të izoluara, edhe tornado.

Megjithatë, niveli 3 i rrezikut nuk do të thotë se çdo pjesë e Kosovës do të goditet nga fenomene të rënda, por se kushtet atmosferike janë shumë të favorshme që stuhitë që zhvillohen të jenë jashtëzakonisht të fuqishme.

Qytetarëve u rekomandohet të ndjekin paralajmërimet e institucioneve zyrtare meteorologjike dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë kalimit të stuhive të forta. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›