Kosova nënshkruan kontratë 3‑vjeçare me kompaninë amerikane për artileri moderne HUMVEE Hawkeye

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në një takim zyrtar Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të kompanisë amerikane AM General, John Chadbourne, si dhe Drejtorin për Zhvillimin e Biznesit Ndërkombëtar, Juan Hernandez.
Takimi vjen një ditë pas nënshkrimit të një kontrate kornizë 3‑vjeçare mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe AM General, e cila parashikon furnizimin e Kosovës me sistemet moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS). Marrëveshja përfshin gjithashtu pjesë rezervë, mirëmbajtje dhe trajnime për operim dhe mirëmbajtje.
Si pjesë e kontratës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të pajiset edhe me ambulanca, automjete për komandim dhe kontroll, si dhe mjete të tjera mbështetëse, të cilat mundësojnë funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe rritjen e kapaciteteve të zjarrit direkt dhe indirekt të FSK‑së.
Kryeministri Kurti e vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke theksuar se investimet në fushën e mbrojtjes janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe vendet anëtare të NATO‑s.
Nga ana tjetër, Zëvendëspresidenti Ekzekutiv i AM General, John Chadbourne, u shpreh i kënaqur për arritjen e marrëveshjes, duke e cilësuar atë si dëshmi të angazhimit të kompanisë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake të Kosovës.
Gjatë takimit, palët diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në të ardhmen, përfshirë edhe opsionin e bashkëprodhimit.
/rtsh.al/