E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova proteston paqësisht për festën ndërkombëtare të punës

Punonjës shtetërorë dhe pensionistë kanë protestuar ditën e djeshme në Prishtinë, për gjendjen e rëndë sociale në të cilën ndodhen. Manifestimi, i organizuar me rastin e ditës së 1 Majit nga sindikata të ndryshme, ka qenë i qetë dhe paqësor. Bashkimi i Sindikatave

të Pavarura shtroi një numër kërkesash para institucioneve të vendit për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve dhe krijimin e vendeve të punës për qindra mijëra të papunë. Qeveria e vendit ndërkaq ka miratuar projektligjin e punës, që është edhe një nga kërkesat kryesore të organizatave sindikaliste në vend. Me një protestë paqësore të zhvilluar me iniciativë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, dhjetëra ish-punonjës të ndërmarrjeve shoqërore dhe pensionistë kanë shprehur pakënaqësinë me gjendjen e të drejtave të punëtorëve në vend. Bashkimi i Sindikatave kërkon dialog të mirëfilltë social dhe respekt të parterëve social, përfaqësim mbi bazat e legjitimitetit dhe avancim të çështjeve që kanë të bëjnë me interesim e punonjësve në Kosovë, tha kreu i BSPK, Haxhi Arifi. Kërkesat e protestuesve janë nxjerrja e infrastrukturës ligjore të punës, dialogu i mirëfilltë social, krijimi i fondit social, shëndetësor e pensional-invalidor, ndalja e privatizimit, e punës së zezë dhe korrupsionit, si dhe hapja e vendeve të reja të punës për të rinjtë. Të drejtat e punëtorëve në Kosovë ende mbrohen në bazë të një rregulloreje të punës, pasi që Ligji i punës, i cili është përgatitur nga Qeveria e kaluar, disa herë ka kaluar në Parlament, por nuk është miratuar. E gjithë kjo, sipas përfaqësuesve të punëtorëve, ka bërë që të drejtat e punëtorëve të shkelen në vazhdimësi, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Deri në miratimin dhe fillimin e zbatimit të Ligjit të punës nga ana e Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e punëtorëve kosovarë thonë se të drejtat e punëtorëve në Kosovë do të shkelen, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, thotë se në shumicën e rasteve, punëtorët kosovarë punojnë pa kontrata pune, nuk kanë siguri në vendet e tyre të punës dhe njëherësh nuk kanë as mbrojtje shëndetësore. Padrejtësi jashtëzakonisht të mëdha u bëhen punëtorëve, sidomos atyre ne sektorin privat, sepse atje nuk mblidhet tatimi. Atje bëhen shkelje flagrante, nuk kanë mbrojtje shëndetësore, largohen nga puna kur dëshiron punëdhënësi etj., thotë Arifi. Një ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin e punës, i cili pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Ja historia e festës së 1 Majit
Historia e festës së 1 Majit ka filluar në vitin 1886, kur 40 000 punëtorë në Çikago të SHBA qenë futur në grevë, duke kërkuar kushte më të mira pune dhe zbatimin e orarit 8 orësh të punës. Policia e pati shuar grevën në mënyrë brutale, kurse pesë liderë grevistë qenë dënuar me vdekje, andaj 1 Maji shënohet çdo vit në shenjë kujtimi të viktimave të para të luftës për të drejtat e punëtorëve. Për kremtimin e kësaj dite është vendosur tre vjet më vonë, me vendimin e përfaqësuesve të punëtorëve nga mbarë bota në Internacionalen e Dytë Socialiste në Paris.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›