E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova rrezikkrizën financiare, pasasaj presidenciale

PRISHTINE-Ish-ministri kosovar i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka deklaruar dje se situata politike në vend do të ketë ndikime në buxhetin e vitit 2011. "Nëse nuk do të ketë ndonjë marrëveshje të re ne mes të koalicionit qeverisës, atëherë mund të ndodhë që në Kuvend nuk do të ketë vota të mjaftueshme që të miratohet buxheti në leximin e dytë, pasi duhet që shumica të jenë të pranishëm", është shprehur ai për mediat.

Por, nga ana tjetër, edhe nëse Kuvendi e miraton buxhetin, pa dekretimin e presidentit apo të ushtruesit të detyrës së presidentit, ky buxhet nuk mund të ekzekutohet. Po kështu, drejtori i Institutit "Riinvest", Lumir Abdixhiku, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të reflektohet në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të shqyrtohet për herë të dytë projektbuxheti i këtij viti. Projektbuxheti për vitin 2011 parashikon 1 miliard e 264 milionë euro të hyra buxhetore, ndërsa 1 miliard e 434 milionë euro shpenzime. Në seancën e kaluar, ai është miratuar në parim. Nga 107 deputetët, që ishin të pranishëm në sallë, 67 kanë votuar për këtë projektbuxhet, i cili duhet të shndërrohet në ligj jo më larg se 31 marsi. Një prilli është data e fundit kur Qeveria e Kosovës duhet ta ketë të miratuar buxhetin për këtë vit, në mënyrë që të nisin procedurat e pagesave. "Nëse nuk ka buxhet, vihet në dyshim fakti se a duhet të ekzistojë qeveria si e tillë", vijon Abdixhiku. Edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, mendon se Kosova mund të kalojë në një krizë financiare. "Derisa të bëhet një zgjidhje sipas rregullave në fuqi, nuk mund të bëhet asnjë pagesë nga thesari. Nuk mund të procedohen pagesat, sepse jemi pa buxhet prej 1 prillit", thotë Shatri. Projektbuxheti, për shkak të krizës institucionale, nuk është miratuar vitin e kaluar, por është shtyrë për sivjet.

Kriza institucionale ka lindur nga shpallja, prej Gjykatës Kushtetuese, si të parregullt të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, për probleme procedurale. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të politikës në Prishtinë, bëhet e ditur rikandidimi i Pacollit në procesin e ardhshëm. Por miratimi i buxhetit ka një afat fundor, që është dita e sotme, në të kundërt, shteti mbetet në pamundësi që të kryejë veprime me buxhetin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›