Kosova vështirë se mund ta pengojë referendumin në veri

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kundërshtuar sot mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.
I vetdijshëm se pengimi i mbajtjes së një referendumi është punë që vështirë bëhet, ai ka thënë se ëdhtë e rëndësishme që atë rezultat të mos e pranojë Bashkësia ndërkombëtare, në të kundërtën do të ishte cenim i shtetit të Kosovës.
“Me kushtetutë dhe me ligjet e Kosovës, nuk lejohet që një shtet të mbajë referendum në shtetin tonë. Mbajtja e tij është vështirë për tu penguar, por e rëndësishme është që Bashkësia ndërkombëtare të mos e njehë rezultatin e ati referendumi që mbahet në Kosovë”, tha, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga ideja që rreth marrvëeshjes së arritur në Bruksel në mes Prishtinës e Beogradit të organizohet referendum në Serbi, dhe veri të Kosovë.
Një veprim të tillë të serbëve e ka kundërshtuar edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.
“Në territorin e Kosovës referendum nuk mund të shpall askush. Ne nuk guxojmë të lejojmë që ai referendum të mbahet. Por, a ka mundësi për ta penguar këtë shteti ynë, kjo është çështje tjetër”, tha Gjini.
Ndryshe, kryesia ka vendosur që Kuvendi të mblidhet dy herë në këtë javë, të martën dhe të enjten. /Indeksonile/