E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët e arratisur nga Kosova, të trajtuar si komplotistë!

24-11-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Rikujtim i një ngjarjeje që kërkohet të harrohet

Fill pas humbjes së pushtetit të pasnëntëdhjeteshtatës, të cilin Edi Rama e karakterizoi si tetëvjeçari i mallkuar, si  pushtet të korrupsionit, të trafikimit të qenieve njerëzore, të qarkullimit të papërmbajtshëm të drogës, të pasurimit të beftë të injorantëve me kontribute në atë që Rexhep Qosja e quante (dhe vazhdon ta quajë) si Revolucioni (bolshevik) i vonuar, - dolën në qarkullim libra e dokumente, që pasqyronin një dukurí që kishte mbetur si e pashprehur qartësisht: Keqtrajtimi i kosovarëve të ndershëm, ndërmjet të cilëve edhe shkencëtarë si Namik Luci, që kishin rënë nga shiu i UDB-së, në breshrin e diktaturës.
Duhet të mos kalohet përciptazi një fakt. Zgjedhjet pasardhëse të 2005-s, kurdoherë të fituara në mënyrë progresive  nga koalicioni i PD-së, ishin në rritje, gjithmonë e më të mira, veçanërisht në drejtim të transparencës. Ato të 2011-s, sidomos, ishin në vëzhgim 24 orësh nga telespektatorët, falë emisioneve të pandërprera, ditë e net, të abc News. Por  nga kryetari i ri i PD-së, të gjitha këto kontestoheshin pa prâ me lajtmotivin monoton, “na vodhën votat”(!). Veçse, amà, ato të 2005-s, u pranuan – si në heshtje – nga një person që duhet të jetësonte një pushtet të dyfishtë. Duhej përfituar nga neni 28 i statusit të PS-së!
Tani, pas një digresioni  të shkurtër, që shpesh është në përkitje me atë thënien e popullit se fjala tërheq fjalën, do të flas për takimin, pas gjashtë vitesh nga dalja e librit të bujshëm të bashkëshortes së Namik Lucit,  një vepër nga më të dokumentuarat, sesi të arratisurve për t’i shpëtuar trysnisë së padurueshme të UDB-së,  duhej të akuzoheshin se kishin ardhur këtu, për të vrarë Enver Hoxhën! “Edhe sot e kësaj dite, - shkruante Leno Luci në vitin 2006,  nuk janë bërë të qarta motivet që e shtynin Enver Hoxhën të arrestonte kosovarët pas vitit 1981” dhe vazhdon: “Sigurimi kishte dalë hapur në përdorimin e kosovarëve si “mish për top”. Dhe ata që i shmangeshin kësaj, e kishin vendin si “mish në burg”. Namik Luci ishte i domosdoshëm si inxhinier i Uzinës së Superfosfatit, si studiues e novator, madje edhe si shpikës  në racionalizime, që ishin me përfitime të mëdha për lehtësimin e punës së punëtorëve dhe me përfitime të mëdha financiare për shtetin dhe për të ardhurat e punëtorëve. Por kishte një  fatkeqësi që do t’i kushtonte: Ishte kosovar! E donin punëtorët, ia kishin nevojën ata, atje lart; por qenia kosovar nuk do të mbetej pa pasoja. Simbolikisht do të krahasohej, në përfytyrimin tim,  me  autorin e “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, të Hamit Kokalarit. Ky i shpëtoi ekzekutimit fare rastësisht, në kohën kur u morën nga shtëpia dhe u vranë në vigjilje të 17 nëntorit të përgjakshëm të 1944-s, (të pushkatimeve rrugëve dhe rrugicave) të të dy vëllezërit e tij, Mumtazi dhe Vesimi, të pafajshëm si edhe të 40 të tjerët. Dhe pastaj, kur u kujtuan se H. Kokalari, i vëllai i Musinesë. ishte përkthyesi më i mirë nga shqipja në frëngjisht i materialeve propagandistike të Enverit, e bënë - si me Jusuf Vrionin, - që e aktivizuan në burg për përkthimet letrare, nga më të mirat nga ana cilësore, siç dëshmon Vedat Kokona në Kujtimet e tij. Doemos që edhe bashkëshorti i Lenos nuk do t’i shpëtonte provokimeve dhe akuzave nga më skandalozet: gjer në komplotist, kundër jetës së diktatorit. Qëndresa e tij në hetuesi, i dha një përparësi, por edhe një prapësí. Nuk e ekzekutuan, por u dërrmua fizikisht. U dënua me 18 vjet burg, por bëri vetëm 7 vjet. U lirua, duke iu shmangur të 11 të tjerave. E liroi demokracia. Veçse vdiq i ri! Pas një jete të shkurtër, në shërbim të PD-së. Në vitin 1992 u emërua shef i kryesisë së Rrethit dhe në vitin 1996 u emërua shef i Industrisë së Rrethit dhe anëtar i kryesisë së PD-së të Rrethit. Edhe bashkëshortja e tij besnike, Leno Luci, punoi si anëtare e Këshillit bashkiak të Bashkisë së Laçit (1991), si kryetare e Lidhjes demokratike të Gruas, në Kurbin dhe si  kryetare e këshillit pluralist të PD-së dhe si anëtare e kryesisë së PD-së së Laçit (përkatësisht  në ’93- 2005 dhe ’96- 2009). Dha kontributin e saj édhe në Lidhjen Demokratike të Gruas Shqiptare. Dhe në 2010 e në vazhdim qé anëtare e kryesisë së L.D.G.SH.-së në njësinë N. 7, në Tiranë. Në vitet ‘96-2003 u zgjodh anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së. Nga vitin 1996- 2003 ishte drejtoreshë e gjimnazit  të Laçit.
Ish-të përndjekurit politikë, siç më tha në këtë takimin e fundit, nuk duhet ta harrojnë se lirinë e parakohshme, - siç e gëzoi edhe Namiku, - e kanë si pasojë e veprimtarisë dhe përkushtimit të P. Demokratike,  në dobi të të vuajturve nga diktatura. Në interpretimin tim,  domethënia e këtij gjykimi të Lenos është që nuk është e drejtë që të hash bukën e të përmbysësh kupën. Ajo e kujtoi edhe njëherë vdekjen e dhimbshme të vajzës së saj të mitur në spital, duke qenë krejtësisht e vetme, nëna me të bijën në agoni. Nuk guxonin të vinin as të afërtit e saj. Leno e vlerëson si një mrekulli të rënies së diktaturës, édhe  rënien e izolimit njerëzor nga “karantina”. Ajo e përligj me shpirt të madh këtë druajtje të ditëve të frikshme të diktaturës, këtë “luftë klasash” gjer në marrëdhëniet familjare. Unë mendoja këtë paralelizëm absurd krahasimesh të “historianëve” nostalgjikë, që kërkojnë të “rehabilitojnë” diktaturën që lamë pas, me regjimin e paraluftës, që nuk kishte dallime klasore gjer në izolim të pashpirt të njerëzve të padëshiruar dhe që nuk vriste njerëzit për kalim kufiri, për një jetë më të përballueshme. E që kërkonin edhe një statujë për Enverin,  në saje të një analogjie infantile, me regjimin e paraluftës. Hane Shan, hane Bagdad!
Ndërkaq edhe babai i Lenos, Kalo Brahim Xhaferaj, që  kishte qëndrim “të mirë” politik, tani, së bashku me fëmijët e tij të rritur, u çliruan si familje  nga ajo ndrydhje ndjenjash për dashurinë e fshehur ndaj së bijës. Edhe një gëzim plus për Lenon,  që kishte hequr të zitë e ullirit, se i kishte qëndruar besnike bashkëshortit të saj kosovar! Në ditët e sotme Leno vete në Kosovë herë-herë, te njerëzit e të ndjerit Namik, që e mbajnë si ujët e pakët. Ajo përmallohet për të shoqin e saj që vdiq i ri, për shkak të vuajtjeve në burg, por që çmohet nga të dy anët e kufirit, si njeri me virtyte dhe me aftësi të jashtëzakonshme, si intelektual  me intelekt dhe me aftësi shkencore të rralla. Tanimë ajo kishte në çantën e saj disa  dokumente që babanë Kalo  (që kishte vdekur  më 31 maj 1974), e paraqisnin me dy cilësi  për të cilat ajo e ndjente veten krenare: Në vitin 1912  ishte pjesëmarrës si lutëtar në shpalljen e pavarësisë nga Plaku i madhërishëm Ismail Qemali. Dhe në vitin 1920, Kalo Brahimi kishte qenë luftëtar aktiv në Luftën e Vlorës, përkrah  luftëtarëve  të tjerë atdhetarë, kundër pushtuesve italianë, me çetën e Krahësit.                                                                                                                                                                                      

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›