Bizneset: Utopike premtimet e Ramës në lidhje me taksën zero
Guxholli: Rama i pesëfishoi taksat
Drejtues të pushtetit vendor dhe qendror kanë vijuar takimet me bizneset, për t’u njohur më nga afër me problematikën e përditshme të këtij biznesi dhe për të reflektuar atë në vendimmarrje dhe në rregullat me të cilat pushteti vendor dhe qendrorë i shërben këtyre bizneseve. Anëtarja e Këshillit Bashkiak në Tiranë, njëkohësisht edhe këshilltare për ekonominë e Kryeministrit znj. Suzana Guxholli dhe kryetari i grup-seksionit numër 3 të PD-së, z. Flamur Çollaku janë takuar me biznesmenë, të cilët ushtrojnë aktivitetin tek “Brryli”, njësia bashkiake nr.3. “Kuptohet menjëherë demagogjia dhe boshllëku i premtimit elektoral të zotit Edi Rama, që do të zeroje taksat, kur në kohën 10-vjeçare të drejtimit të tij si kryetar i bashkisë së Tiranës ai vetëm rriti taksat, kishte në dorë që t’i ulte deri në 30% tarifat vendore dhe në vend të uljes 30% ai i katërfishojë dhe i pesëfishoj”- u shpreh Guxholli.
Përfaqësuesit e biznesit të vogël kanë vlerësuar uljen e taksave nga Qeveria dhe së fundmi nga administrata e re e bashkisë, sikundër i kanë quajtur utopike premtimet e Ramës në lidhje me taksën zero.
Tregtari: Kam dy muaj që e kam hapur biznesin, jam i kënaqur me tarifat që paguaj ndaj shtetit, janë tarifa të arsyeshme. Jam për ekzistencën e taksave, slogani i Edi Ramës në lidhje me taksën zero, më duket utopia e radhë e tij.
Tregtari: Unë jam i kënaqur në radhë të parë me sistemin që ka ngritur pushteti vendor, më duket korrekt dhe i angazhuar për të na ardhur në ndihmë ne si biznes i vogël. Bashkia që qeveriset sot nga zoti Basha i ka hapur dyert për ne, duke na ndihmuar për çdo gjë që kemi patur në adresim të saj. Në kohën që qeveriste zoti Rama si kryetar bashkie ne nuk na hapeshin dyert... Nuk jam për taksë zero, shteti me çfarë do mbahet?! Nga na doli kjo pa taksa, apo është premtimi elektoral i radhës i zotit Rama...?!
Tregtari: Jam i kënaqur si biznes, është ndjerë shumë ulja e barrës fiskale. Për sa i përket taksës zero, është e pamundur një gjë e tillë. Pse nuk e bëri zoti Rama që qeverisi për 11 vjet bashkinë, apo tani u kujtua ta çojë taksën zero, kur iku nga pushteti...?
Tregtari: Taksat më përpara kanë qenë të larta, në fillim kemi pas paguar edhe taksën “Majko”, taksën e gjelbërimit, pastrimit etj. Paguanim taksa pa fund dhe nuk shihnim asnjë shërbim që ne na bëheshe as si biznes, por as si qytetarë.
Nga ana e saj, anëtarja e Këshillit Bashkiak, Suzana Guxholli u shpreh, se nga të gjitha takimet me biznesin deri më sot asnjë nuk ka thënë që ne duam të kemi taksën zero, sepse e kuptojnë utopinë e këtij koncepti, nuk ka shtet pa taksa, taksat janë të domosdoshme për t’i shërbyer biznesit, për t’i krijuar atij terrenin që ata të veprojnë me sukses. “Bizneset janë të ndërgjegjshëm dhe të gjithë bëjnë krahasimin e diferencës së barrës fiskale të bashkisë të mëparshme, të kryesuar nga kryetari i Partisë socialiste sot zoti Rama dhe Bashkia e Tiranës që qeveriset sot nga zoti Lulzim Basha. Bizneset e kanë të dukshme dhe të prekshme faktin që janë hequr 60 pagesa dhe tarifa. Ata janë të ndërgjegjshëm për faktin që sapo erdhi në pushtet qeveria qendrore ja përgjysmoj taksën nga 3% në 1.5% dhe është shumë flagrante fakti i taksave dhe tarifave që ata paguanin nën qeverisjen e bashkisë Rama për taksat, shërbimet e të cilave nuk ja merrnin. Shembull është taksa e gjelbër dhe taksa e pastrimit. Nga taksa e gjelbër, një taksë e përkohshme që qeverisja Rama e kthehu në taksë të përhershme, të vazhdueshme. Vetëm në vitin 2010 janë mbledhur mbi 6 milion USD, ndërkohë kur gjelbërimi për frymë ishte vetëm 3.1 m2 për banorë, po kaq sa ishte edhe në vitin 2001. Zoti Rama i katërfishojë dhe i pesëfishoj taksën e gjelbërimit, të pastrimit, madje po t’i referohemi këtyre dy pagesave për biznesin e prodhimeve dhe shërbimeve farmaceutike në këtë sektorë, taksa që paguante një biznes në kohën e zotit Rama për gjelbërimin ishte 100 mijë lekë, ndërkohë që taksa e biznesit të vogël mbi xhiron e tij ishte vetëm 23 mijë lekë, 23 mijë lekë ishte taksë e qeverisjes qendrore, ndërsa taksa 100 mijë lekë për gjelbërimin që kurrë nuk e pa, ishte taksa e qeverisjes vendore. Prandaj edhe njëherë ne jemi të bindur dhe i bëjmë thirrje biznesit që të reflektojë mendimet e tij për përmirësimin e punës duke patur besim në sistemin e taksave të ulëta dhe të shërbimeve cilësore që ofron bashkia e Tiranës dhe pushteti qendror” – përfundoi znj. Guxholli.
...